Punonjësit e administratës shtetërore që kanë borxhe ndaj shoqërive të ujësjellësve do të duhet detyrimisht të shlyejnë të gjitha detyrimet.

Gazeta Shqiptare ka siguruar një nga dokumentet që i ka shkuar Prokurorisë së Elbasanit, por edhe atyre në rrethet e tjera të vendit.

Në dokumentin, që mban firmën e drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan, Besmir Prifti, kërkohet që prokurorët e kësaj prokurorie (të Elbasanit) të paguajnë faturat e ujit të pijshëm.

“Në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Kryeministri mbi likujdimin e faturave debitorë të ujit brenda muajit Janar 2018, duke konsideruar këtë fakt kërkojmë bashkëpunimin tuaj për të ndërmarrë politika të arkëtimit të detyrimeve të prejardhura nga fatura e ujësjellës-kanalizimeve, për ata persona të cilët rezultojnë të punësuar në institucionin tuaj kërkojmë numrin e kontratës së UKE sh.a dhe emrin bashkëngjitur.”

Skema e Reformës së ujit është e ngjashme me atë të energjisë elektrike. Ajo nis pikërisht me institucionet e me pas shtrihet tek familjarët.

Në urdhrin e kryeministrit, dalë me herët, sqarohet se të gjitha institucionet publike kanë 30 ditë afat të lidhin kontrata të rregullta me ujësjellësat në rast se nuk e kanë një të tillë, ndërkohë që nëse kanë detyrime të papaguara të nënshkruajnë marrëveshje me ujësjellësin përkatës për të nisur shlyerjen e borxheve.