Policia e Sarandës ka dalë në një njoftim në lidhje me vrasjen e 44-vjeçarit dhe plagosjen e një kalimtari mëngjesin e kësaj të diele në qendër të qytetit.
Uniformat blu bëjnë me dije se janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës për kapjen e autorëve.
“Rreth orës 09:55, te ish-agjencia, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. M., rreth 44 vjeç, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, kalimtar i rastit, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe të Gjirokastrës.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e rrethanave, administrimin e çdo prove që i shërben hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.





