Kohëve të fundit është ngritur si problematikë prokurimi që kanë kryer institucionet me objekt dreka apo darka festive të stafit me rastin e festave te fundvitit.

Edhe pse pjesa më e madhe e atyre që kanë dashur të zhvillojnë një aktivitet të tillë tashme e kanë mbyllur procedurën, Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik kanë kërkuar që insitucionet të ndalojnë këto procedura.

Në të kundërt sikurse bëhet me dije në reagimin e shkurtë të dy institucioneve drejtoritë e Thesarit nuk do ekzekutojnë pagesat.

Reagimi i plotë i APP dhe Financave

Agjencia e Prokurimit Publik (në vijim “APP”) ka konstatuar se, kohët e fundit autoritetet kontraktore kanë shpallur dhe zhvilluar në Sistemin e Prokurimit Elektronik procedura prokurimi me vlerë të vogël, të cilat kanë si objekt dreka apo darka festive. Nisur nga qëllimi i ligjit nr. 9643/2006 “Për Prokurimin Publik”, por edhe i Ligjit nr. 10296/2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të cilët synojnë mirëpërdorim të fondeve publike, APP dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore që të mos shpallin procedura të tilla prokurimi. Gjithashtu, bëjmë me dije se Drejtoritë e Thesarit do të bllokojnë ekzekutimin e pagesave për objekte të tilla prokurimi./Monitor