Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka nisur seancat dëgjimore për të vendosur çmimin për vitin e ardhshëm. I vetmi operator në treg që ka kërkuar rritje të çmimit është ai i Transmetimit të Energjisë, ndërsa mësohet se kompania e shpërndarjes nuk ka aplikuar për tarifë të re, por kërkon të mbajë të pandryshuar çmimin e energjisë për konsumatorin fundor në nivelin 9.5 Lekë për kilovat orë. OSHEE ka depozituar vetëm pasqyrat financiare, ku kërkon që të mbajë në të njëjtat nivele edhe investimet për vitin e ardhshëm.

Operatori i Transmetimit mësohet se ka dorëzuar 4 variante me propozime, ku në tre të parët kërkon rritje të tarifës së transmetimit me 0.47 lekë për kilovat orë, deri në 0.16 lekë ndërsa te i fundit tërheq versionin e rritjes por kërkon që energjinë për të mbuluar humbjet në rrjet ta sigurojë KESH.

Enti Rregullator pritet të vendosë çmimin e ri. pasi Ministria e Energjisë të përcaktojë edhe atë të KESH. Thatësira e këtij viti dhe humbjet që pati koorporata e kanë detyruar atë që të kërkojë rritje të çmimit që i shet energjinë OSHEE-së. Për vitin 2017-të KESH do të mbyllë vitin me 67 milionë Dollarë humbje.

Nga ana e saj qeveria ka kërkuar që miratimi i çmimit për korporatën elektroenergjitke të mos ndikojë tarifat e konsumatorëve.