Biznesmeni 36-vjeçar i gazit në Fier, Orvel Hebeja, ka përfunduar sërish në prangat e policisë.
Kësaj radhe ai akuzohet për ushtrim dhune dhe largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit.
Policia e Fierit thotë se 36-vjeçari kishte masën e sigurisë “arrest shtëpie” në lidhje me çështjen gjyqësore të 59 kg heroinë ta kapur në vitin 2014.
Por Hebeja ishte larguar nga banesa dhe kishte dhunuar 28-vjeçaren me iniciale O.A. duke e goditur me grushte në kokë.
Ai akuzohet për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Në vitin 2014, Orvel Hebaja u arrestua pasi në Turqi në kamionin e kompanisë së tij u gjetën 59 kilogramë heroinë. Gjykata e Krimeve të Rënda e la të lirë më pas duke vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie”.





