Një polic ka mbetur i plagosur pasi u qëllua me armë zjarri nga kolegu i tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme pas një konflikti në Peshkopi.

Të dy punonjësit dyshohet se po ktheheshin nga një drekë në Dibrën e Madhe dhe gjatë rrugës kanë debatuar me njëri-tjetrin. Në konflikt e sipër polici Naim Murliu, 53 vjeç ka qëlluar me armë zjarri Ardjan Roçin, 50 vjeç.

Autori mësohet se e ka sjellë afër spitalit të plagosurin dhe më pas është vetëdorëzuar në polici. 50-vjeçari Roçi është në gjendje kritike për jetën. Policia po heton për shkaqet e ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

 

Më datë 21.12.2017, rreth orës 19:10, policia u njoftua se është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore një shtetas i plagosur me armë zjarri.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe nga verifikimet paraprake ka rezultuar se:

Shtetasi Naim Muliu, 55 vjeç, banues në Peshkopi, punonjës policie, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe  Përgjimit në Drejtorine Vendore të Policisë Dibër, duke u kthyer me mjetin e policisë nga një shërbim pune nga Maqellara për në Peshkopi, me shtetasin A.R., me detyrë Specialist i IT, (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër), dyshohet se pas një konflikti të çastit e ka plagosur me pistoletë këtë të fundit.

I dëmtuari ndodhet në gjëndje të rëndë për jetën në Spitalin e Peshkopisë. Një helikopter  i Ministrisë së Mbrojties është nisur për ta percjellë drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar. Autori i dyshuar është arrestuar për veprën penale "Plagosje e rëndë me dashje".

Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Në drejtim të Dibrës është nisur menjëherë Zvdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit së bashku me një grup specialistësh.