Shkolla e parë e hapur në Durrës “Rexhep Mezini” në Ishëm ka zhvilluar një aktivitet me rastin e e festave të fundvitit. Ceremonia në përbërje të cilës ishte një aktivitet kulturor e sportiv si dhe shpërndarja e pakove me dhurata për 25 fëmijë, nxënës të shkëlqyer të shkollës, u organizua nga një kreu i bordit të prindërve Klodjan Kërtusha, i cili rrjedh nga një familje arsimtarësh në këtë shkollë.
Ceremonia u përshëndet nga Adrian Gurra drejtori i Arsim Kulturës në bashki, i cili në fjalën e tij vlerësoi maksimalisht punën që bëhet në këtë shkollë nga një staf i përkushtuar mësuesish e edukatorësh.
Mësuesit që kanë shërbyer me dekada në këtë shkollë në rritjen e brezit të ri dhe edukimin e tyre janë vlerësuar gjatë fjalës së mbajtur.
Klodjan Kërtusha që është dhe banor i kësaj zone për të tretin vit me radhë sponsorizon pakot me dhurata për 25 nxënësit e dalluar të Shkollës së Bashkuar Ishëm.
Komuniteti i banorëve të kësaj zone kërkon që këtë institucion arsimor ta ngrejë në lavdinë e dukshme të saj, si shkolla e cila feston 105-vjetorin e krijimit vitin e ardhshëm.
Shkolla e Ishmit në Durrës ka qenë dallëndyshja e parë e arsimit në qarkun e Durrësit.
Nga shkolla e Ishmit kanë dalë me mijëra nxënës. Ata kanë dhënë provime aftësie e talenti në fusha të ndryshme të dijes. Në ketë shkollë është ulur për herë të parë në bankën e dijes piktori me famë botërore, Ibrahim Kodra. Veç tij, aty ka mësuar dhe Tinka Kurti së bashku me të vëllanë, Kolecin. Shkolla pra përbën “katin e parë” të ndërtesës së arkivit kulturor të Durrësit.





