Një dosje konfidenciale e sigurisë, e publikuar nga mediat ndërkombëtare, ka zbuluar prapaskenat e errëta të Botërorit të fundit që u zhvillua në Meksikë, SHBA dhe Kanada, ku Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo rezultojnë të kenë qenë mes objektivave të kërcënimeve serioze.

Sipas tabloidit anglez “The Sun”, që i referohet dokumenteve të publikuara nga “Informacion.es”, autoritetet amerikane kanë regjistruar dhjetëra alarme gjatë turneut, përfshirë kërcënime me armë, pretendime për bomba në stadiume dhe tentativa për t’iu afruar yjeve të futbollit. Kapiteni i Argjentinës, Lionel Mesi, ishte një nga objektivat kryesorë. Para dy ndeshjeve të Argjentinës, policia mori sinjalizime për persona të armatosur dhe kërcënime për sulme me eksploziv në stadiume, duke detyruar aktivizimin e njësive antieksploziv dhe kontrolle të rrepta sigurie.

Edhe kapiteni i Portugalisë, Kristiano Ronaldo, u përfshi në raportet e sigurisë, pasi një person kërkoi informacione për vendndodhjen e tij, ndërsa një tifoz arriti të hynte në hotelin ku ishte akomoduar portugezi dhe tentoi t’i afrohej në ashensor. Ai u ndalua menjëherë nga policia. Presioni nuk kurseu as gjyqtarët. Arbitri francez Fransua Leteksier mori mbi 6 mijë mesazhe kërcënuese pas një ndeshjeje të Argjentinës, ndërsa zyrtarë të tjerë të FIFA-s dhe futbollistë u bënë objekt kërcënimesh dhe fushatash urrejtjeje në rrjetet sociale.

Sipas raportimeve, Botërori u shoqërua nga një operacion gjigant sigurie, me masa të jashtëzakonshme për mbrojtjen e futbollistëve, tifozëve dhe zyrtarëve. Dokumentet tregojnë se, pas spektaklit në fushë, autoritetet u përballën me një numër të lartë kërcënimesh, duke e bërë këtë një nga edicionet më të fortifikuara në historinë e Kupës së Botës.