Një person ka tentuar t’i japë fund jetës në qytetin e Durrësit duke u mbytur në det, por fatmirësisht është pikasur nga kalimtarët e rastësishëm dhe në sajë të tyre e ndërhyrjes së policisë, është bërë e mundur të shpëtohet.
Ngjarja është regjistruar dy ditë më parë, pasditen e 19 dhjetorit në zonën e Vollgas.
Shtetasi me iniciale Sh. R., i moshës 41 vjeç, banues në Fermë Sukth, është futur në det për t’u mbytur. Kanë qenë kalimtarët ata që e kanë parë dhe menjëherë kanë telefonuar policinë, e pas mbërritjes së uniformave blu është arritur që 41-vjeçari të nxirret gjallë prej detit.
Nga burimet policore, “DurrësLajm” mëson se aktualisht ai ndodhet në spital e jashtë rrezikut për jetën. I pyetur nga oficerët e policisë rreth shkaqeve që e çuan drejt aktit të rëndë të vetëflijimit, 41-vjeçari nuk ka preferuar të flasë, ndërsa familjarët e tij janë shprehur se kohët e fundit ai rri i mbyllur në vetvete.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për vlerësim.
S.L.





