Një gazetar u qëllua për vdekje, ndërsa po ndiqte festën e Krishtlindjeve në shkollën e të birit 6-vjeçar.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Akajucan, në Veracruz të Meksikës dhe që nga viti 2000, 111 persona që punojnë në media janë vrarë, nga të cilët 38 pasi Presidenti Enrique Pena Nieto erdhi në pushtet, në Dhjetor të 2012-ës.

Gumaro Perez, i cili ishte 35-vjeç, shkruante rregullisht për çështjet e sigurisë dhe trafikimit të drogës. Ai ishte anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Akajukanit. Është gazetari i dymbëdhjetë i vrarë në Meksikë që nga fillimi i vitit dhe i treti në shtetin e Veracruz.

Atentatori ishte i vetëm kur qëlloi katër herë drejt gazetarit.

Në raportin e saj vjetor të publikuar të martën, Reporterët pa Kufij deklarojnë se Meksika është një nga vendet më të rrezikshme për të ushtruar detyrën e gazetarit.

Ndërsa në të gjithë botën, për vitin 2017 janë vrarë 65 gazetarë në krye të detyrës. Midis viktimave, 50 ishin gazetarë profesionistë, shtatë reporterë dhe tetë punonjës mediash. 35 prej gazetarëve janë vrarë në zona lufte dhe 30 jashtë këtyre zonave. Nga këta gazetarë, 39 janë vrarë për shkak të raportimeve për korrupsion politik dhe krim të organizuar dhe 26 të tjerë janë vrarë përgjatë punës në terren nga sulme me bomba.

Organizata theksoi se 300 gazetarë janë të burgosur në shtete si Turqia, Kina, Siria, Irani dhe Vietnami. Raporti i 2017 tregon një ulje të lehtë të numrit të vrasjeve të gazetarëve, krahasuar me 79 gazetarë të vrarë përgjatë vitit 2016./abcnews.al