Një sulm masiv me raketa i ushtrisë ruse ka goditur disa qytete të Ukrainës gjatë natës, duke shkaktuar të paktën shtatë viktima dhe dhjetëra të plagosur. Mes të vdekurve janë edhe dy vajza, 5 dhe 12 vjeç.

Sulmet erdhën vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, të cilit i kërkoi sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore për Ukrainën.

Sipas autoriteteve ukrainase, raketat ruse goditën disa zona të vendit, përfshirë kryeqytetin Kiev, ku humbi jetën një person.

Goditja më e rëndë u regjistrua në qytetin Krivyi Rih, vendlindja e Zelenskyt, ku një raketë balistike goditi një banesë. Si pasojë, gjashtë persona u vranë, ndërsa të paktën tetë të tjerë mbetën të plagosur. Autoritetet paralajmëruan se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet nën rrënoja.

Edhe në qytetin perëndimor të Lvivit pati dëme të mëdha. Shërbimet e emergjencës po punojnë për të nxjerrë persona të bllokuar, ndërsa më shumë se një duzinë njerëzish raportohen të plagosur.

Për shkak të sulmit, Polonia ngriti në ajër avionët luftarakë për të monitoruar dhe mbrojtur hapësirën e saj ajrore.

Pak orë para bombardimeve, Zelensky paralajmëroi se Rusia po përgatiste një sulm të gjerë me raketa në të gjithë territorin e Ukrainës.

Ndërkohë, edhe Ukraina vijoi kundërsulmet. Një sulm me dron goditi një depo të kompanisë ruse Wildberries në rajonin e Penzës, duke shkaktuar zjarr të madh. Sipas autoriteteve ruse, një person u plagos dhe rreth 200 të tjerë u evakuuan nga zona.