“Së bashku në diversitet për një të ardhme më të mirë”. Me këtë temë është zhvilluar aktiviteti i organizuar nga pesë OJQ që operojnë në Durrës.

Qëllimi i aktivitetit ishte integrim i fëmijëve të shtresave vulnerabël në shoqëri e kryesisht ata që i përkasin komunitetit rom, egjiptian, fëmijët me aftësi të kufizuara etj.  

Me këtë rast, në pallatin e kulturës u hap një ekspozitë me pjesëmarrjen e 13 shkollave, pesë prej të cilave kishin ardhur nga Kruja.

Fëmijët kanë paraqitur punimet e tyre në ekspozitën e hapur në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ndërsa në sallën “Nikolin Xhoja” u dha një koncert dhe u shpallën shkollat fituese të konkursit në pikturë.  

“Fëmijët në këto punime kanë paraqitur botën e tyre duke përçuar mesazhin e biodiversitetit të kulturave”,- tha Ledina Bushi nga organizata PNUD.    

Ndërsa Florian Tahiri, nënkryetari i bashkisë së Durrësit, tha se fëmijët e komuniteteve të margjinalizuara diskriminohen në shoqërinë e sotme dhe zhvillimi i këtyre aktiviteteve me karakter sensibilizues është shumë i rëndësishëm.

K.H.