Të gjithë ata që duan të përfitojnë nga amnistia e qeverisë për faljen e plotë ose të pjesshme të detyrimeve, kanë afat edhe pak kohëm, deri brenda datës 31 dhjetor.

Nëse dikush ka një automjet që nuk dëshiron ta përdorë më, por në shtet rezulton debitor, atëherë nëse paraqitet në Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor brenda 31 dhjetorit të këtij viti duke bërë çregjistrimin, atij i fshihen të gjitha detyrimet dhe gjobat dhe targa çregjistrohet.

Në rast se një drejtues ka në përdorim një automjet që nuk i ka paguar detyrimet prej vitesh, por dëshiron ta mbajë në përdorim, atëherë ai në drejtorinë  e transportit mund të përfitojë  fshirjen e detyrimeve tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kushtin që të paguajë të gjitha detyrimet e taksave për periudhën janar 2011 e në vijim.

Sipas të dhënave, në total numëroheshin afro 120 mijë makina me status pasiv dhe nga maji në nëntor bëhet e ditur se janë çregjistruar afro 11 378 mjete.

Për drejtuesit e automjeteve që nuk paraqiten brenda datës 31  dhjetor, Drejtoria  e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën çregjistrim automatik të mjeteve që nuk është kryer asnjë veprim pas dhjetorit 2011. Ndërsa pjesa tjetër vazhdon të mbetet debitore, duke i llogaritur edhe kamatëvonesat.