Trajneri i Teutës Gugash Magani, pas humbjes së skuadrës së tij në përballje me Kukësin, theksoi se problemi më i madh i durrsakëve në këto momente është ana psikologjike.
Sa keq ju vjen që skuadrës nuk i mungon dëshira, por nuk ia del të marrë një pikë?
“Humbja është diçka që të vjen keq, kur je në avantazh. Nuk menaxhojmë si duhet avantazhin. Ne po luanim mirë, u ndëshkuam me penallti. Më pas, që në 20 sekondat e para të pjesës së dytë, u ndëshkuam. Në pjesën difensive, kemi shumë ndeshje që nuk kemi rregulluar asgjë. Kjo është sëmundja jonë.”
Ku do ndërhyjë Magani?
“Nuk mendoj se është çështje fizike. Skuadra prodhon lojë. Mendoj se është diçka psikologjike. Nuk kemi marrë asnjë pikë nga skuadrat kryesuese. Është diçka serioze, që lojtarë të veçantë në ekip nuk mund të përballojnë një ndeshje me presion.”
Kjo skuadër ju jep besim? Do vijoni me këto lojtarë?
“Në merkaton e janarit, nuk ka shumë lojtarë. Unë do vijoj të punoj me këto lojtarë. Janë drejtuesit ata që do vendosin. Rezultatet nuk më japin të drejtë, por unë nuk dorëhiqem. Mendoj se Teuta mund të qëndrojë në Superiore. Kam punuar shumë që ta çoj sa më lart këtë ekip. Është përgjegjësi edhe e imja, për sa i përket merkatos së verës. Do ta vijoj punën time, por do ndryshoj. Edhe besimi i tepërt, të sjell zhgënjim. Jam i zhgënjyer nga 2-3 lojtarë, të cilëve i kam dhënë shumë besim. Nuk është kjo skuadra që unë kërkoj.”





