Humbja e Teutës në kampionat nuk është më një risi, pasi “djemtë e detit” kanë humbur busullën dhe tashmë nga një skuadër me pretendime madhore kthejnë vëmendjen te mbijetesa, duke parë shumë pranë zonën e rënies. 5 nga 8 humbjet e këtij edicioni, durrsakët i kanë pësuar me përmbysje rezultati, ndërkohë që 2 nga nga 3 barazimet i kanë marrë me të njëjtën mënyrë.

Trajneri Gugash Magani shpeshherë ka akuzuar lojtarë të veçantë për paraqitjen në fushën e lojës, por më shumë sesa çështje teknike kjo duket të jetë një çështje psikologjike. Skuadra nuk është e aftë të ruajë avantazhin, kjo jo prej lodhjes fizike pasi shihet qartë që Teuta vrapon deri në minutën e fundit, por duket më shumë një ngërç psikologjik te lojtarët të cilët tashmë janë të mësuar me një ecuri të tillë.

Në 7 nga 15 sfidat e këtij kampionati ka ndodhur që djemtë e detit të jenë në avantazh, por që në fund janë dorëzuar duke marrë vetëm 2 pikë në këto 7 sfida. Nëse minimalisht do të ruhej avantazhi në dy nga këto 5 sfida të humbura atëhere sot do të flisnim për një skuadër që ishte pranë zonës së Europës. Mbi të gjitha skuadra çalon në aspektin mbrojtës, pasi përveç Lushnjës asnjë ekip tjetër nuk ka pësuar më shumë sesa durrsakët këtë edicion.

Ndeshja e fundit për Teutën e vitit kalendarik është në një transfertë të vështirë, ndaj Skënderbeut në Korçë. Magani duhet të mendojë së pari për të marrë diçka nga kjo transfertë dhe më pas të synojë përforcimin e një grupi, që më shumë sesa cilësi ka nevojë për një psikolog.