Policia e Shkodrës është vënë në kërkim të autorit të dyshuar për vrasjen që ndodhi ditën e djeshme në Shkodër, ku mbeti i ekzekutuar me armë zjarri 32-vjeçari Angjelin Shkambi.
Burime nga policia e Shkodrës thonë se autor i dyshuar për ngjarjen është shtetasi Artan Koçeku. Mësohet se ky i fundit sapo kishte dalë me leje nga burgu i Fushë-Krujës, ku vuante dënimin për vjedhje.
27-vjeçari Koçeku, i cili është shpallur në kërkim nga policia, dyshohet ta ketë vrarë 35-vjeçarin për shkak të një borxhi të pashlyer që autori i kishte këtij të fundit. Koçeku, sipas policisë, vuante dënimin në burgun e Peqinit për vjedhje me armë, nga ku kishte dalë me leje.
“Autori ka pasur një komunikim me telefon me viktimën dhe janë takuar tek varrezat e Stom Golemit, ku Koçeku ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Angjelin Shkambit, i cili ndodhej në automjetin e tij, ku për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme”, sqaron policia në një njoftim për shtyp.
Trupi i pajetë i Shkambit u gjet i vrarë me tre plumba pistolete brenda mjetit tip “Benz” me targa AA 275 BF në rrugën që të çon te varrezat e “Stom Golemit”. Viktima Shkambi ishte person me precedent penal, i akuzuar për trafik lëndësh narkotike dhe vetëm pak kohë më parë kishte dalë nga burgu me kusht.





