Dritat e pemës që paralajmërojnë mbërritjen e festave të fundvitit, janë ndezur prej disa ditësh edhe në Durrës. I gjithë qyteti është veshur me petkun festiv dhe ato që e përjetojnë me shumë emocion këtë periudhë, janë sidomos fëmijët.

Por jo të gjithë kanë kushtet dhe mundësitë ekonomike për të festuar. Ndaj edhe nxënësit e shkollës "Turgut Ozal", në Durrës, pjesë e klubit "Shpresa", janë bërë bashkë për të dhuruar pako fëmijëve të shkollës "Eftali Koçi".

Me synimin e ndihmesës për njerëzit në nevojë, klubi "Shpresa" në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale në Durrës, kanë grumbulluar një sasi ushqimesh për t’iu ardhur sadopak në ndihmë bashkëmoshatarëve të tyre me të ardhura të pakta ekonomike, që t’iu gëzohen edhe ata ditëve festive.

Ata janë nxënës nga klasa e parë deri tek e dymbëdhjeta, të cilët sëbashku mundohen të ngjallin shpresë edhe për të tjerët.

Por kjo nuk është nisma e parë humane për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Disa javë më parë kur vendi u përfshi nga reshje masive shiu, çka shkaktoi përmbytje në disa zona të Durrësit, klubi "Shpresa" dhuroi ndihma për të përmbyturit e ish-Kënetës.

G.D.