Republikanët në Kongresin Amerikan gjejnë gjuhën e përbashkët për ndryshimin më të madh në 30 vitet e fundit në sistemin e taksave.

Projekt-ligji që pritet të kalojë javën e ardhshme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat parashikon ulje drastike taksash për koorporatat e mëdha, nga 35% në 21%, ndërsa për individët e shtresës së pasur nga 39.6 % në 37%.

Ulja e taskave për ndërmarrjet e mëdha është një nga premtimet kryesore të presidentit Donald Trump gjatë kohës kur ishte kandidat. Përmes këtij hapi, Trump synon të kthejë  në atdhe ndërmarrjet e mëdha amerikane që veprojnë jashtë SHBA-ve, kryesisht në Azi. Trump kërkon ta shndërrojë në ligj planin e tij përpara Krishtlindjeve.

Mirëpo demokratët e kundërshtojnë fort këtë reformë, që e konsiderojnë si një favorizim vetëm për ta pasurit dhe që nuk prek shtresën e mesme. Sipas tyre ligji i ri, në 10 vjet, do të shtonte me 1.4 trilion dollarë borxhin kombëtar amerikan, që aktualisht është 20 trilion dollarë.