U kthye në Itali 3 vite para se t’i skadonte ndalimi i hyrjes në vendin fqinjë, u zbulua, u arrestua të enjten dhe sot u shoqërua për në aeroport që të deportohej drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për 37-vjeçarin shqiptar Altin Xibraku. Pasi kishte mbaruar në vitin 2015 dënimin prej 4.8 vitesh për trafik droge, shqiptari ishte kthyer në Shqipëri, pasi Italia i kishte ndaluar për 5 vite hyrjen në territorin e saj, raportojnë mediet lokale.
Por shqiptari se ka zbatuar aspak këtë vendim të shtetit Italian. Ditën e enjte, një patrullë policie ka vënë re një makinë Tojota, me 3 persona brenda, të cilët i janë shmangur karabinierëve. Pak më vonë, karabinierët kanë parë të njëjtin automjet, por këtë herë në të ishte vetëm shoferi.
Kur kanë verifikuar identitetin e tij kanë kuptuar se bëhet fjalë për shtetasin Altin Xibraku, të cilit i ishte dhënë eksplus 5-vjeçar.
Gjykata e Vicenzës e dënoi shqiptarin me 8 muaj burg, por në vend që ta dërgonte në institutin e vuajtjes së dënimit urdhëroi deportimin e tij të menjëhershëm në Shqipëri dhe një ekspuls tjetër 5-vjeçar.





