Medine Kapri është një zonjë 60-vjeçare e cila nga Pogradeci ka ardhur për të jetuar në Durrës disa vjet më parë. Zonja Kapri nga mosha 14-vjeçare ka nisur të punojë në kooperativën bujqësore e prej asaj kohe deri në prishjen e sistemit ka bërë punë në bujqësi.

Është në prag të pensionit, por është tejet e dëshpëruar për këtë. Tani që e ka mbërritur moshën e pensionit është e sëmurë prej disa vjetësh me disa sëmundje kronike. Zonja Kapri ndjehet e diskriminurar nga shteti i saj i cili nuk i jep asnjë vlerësim as moral e as monetar për të kaluar moshën e pleqërisë.

Shpërblimin 30 mijë lekë të vjetër e konsideron një tallje për vitin e ri, ndërsa kujton se vitet e rinisë së saj kanë mbetur në qilizëm duke hapur toka të reja bujqësore.

“Pensioni i fshatit është minimal, me diferencë shumë të madhe nga pensioni i qytetit. Kam shkulur pemë e kam bërë qilizëm, jam kalbur nën punë. Kooperativistëve u kanë dhënë rrogë minimale për punë të vështira. Jam kalbur në punë. Kam bërë 130 metra qilizëm në ditë. Pensioni nuk është as 100 mijë lekë në muaj. Edhe bashkëshorti im ka punuar 45 vjet. Ka patur 400 ditë pune në vit dhe merr 105 mijë lekë të vjetër në muaj. Pse i diskriminojnë kaq shumë kooperativistët edhe në pension?”, thotë 60-vjeçarja.

K.H.