Universitetet shqiptare po përballen me një rënie të ndjeshme të numrit të studentëve. Të dhënat për vitin akademik 2025-2026 të publikuara nga INSTAT, tregojnë se në arsimin e lartë janë regjistruar mbi 115 mijë studentë.
Krahasuar me vitin paraardhës, ku numëroheshin 122.613 studentë, ulja është afro 7 mijë studentë më pak në auditorë brenda një viti, ose një rënie me 5.5 %.
Por, alarmi i vërtetë ireduktimit të studentëve bie në ciklin Bachelor. Ky cikël ka pësuar një goditje të dyfishtë.
Brenda një viti, numri i studentëve që nisin studimet e ciklit të parë, ka rënë me 11%, duke u tkurrur nga 68 mijë në vetëm 60 mijë studentë.
Një tregues i qartë se pakësimi i të rinjve në vend po zbraz kryesisht vitet e para të universiteteve.
Një detaj interesant që konfirmohet vit pas viti është dominimi i vajzave në arsimin e lartë. Ato përbëjnë 56,8% të të regjistruarve në Bachelor dhe kjo shifër arrin në 67,6% në programet Master.
Sa u përket degëve preferenciale, të rinjtë shqiptarë u besojnë profesioneve me kërkesë të lartë në tregun e punës, jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit.
Fusha më e kërkuar mbetet, Biznes, administrim dhe ligj me 25.2%, ose 1 në 4 studentë, më pas renditet Shëndet dhe mirëqenie me 22.2% si dhe Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim me 16.9% të totalit të studentëve të regjistruar. Ndërkohë degët e tjera prioritare, si bujqësia apo mësuesia kanë pësuar rënie.
REGJISTRIMET E STUDENTEVE
Viti 2025 115.782 studentë
Viti 2024 122.613 studentë
6.831 studentë më pak
REGJISTRIMET NE CIKLIN BACHELOR
Viti akademik 2024-2025 68.080 studentë
Viti akademik 2025-2026 60.558 studentë
FUSHAT E PREFERUARA TE STUDIMIT
Biznes, administrim dhe ligj 25.2%
Shëndet dhe mirëqenie 22.2%
Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim 16.9%





