Ish-president i Gjeorgjisë i kthyer në liderin e opozitës së Ukrainës, Mikhail Saakashvili, u arrestua nga policia, çka provokoi përleshjet mes mbështetësve të tij dhe forcave të rendit.

Rezistenca e turmës që bllokoi makinën e policisë, solli lirimin e Shakashvilit i cili iu kthye drejtimit të protestës.

Prokurori i përgjithshëm ukrainas akuzoi Saakashvilin se financohet nga qarqe pro-kremlinit e të lidhura me ish-presidentin ukrainas Viktor Janukoviç, për të destabilizuar vendin.

Autoritetet vendase e akuzojnë atë për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe nxitje të dhunës. Ish-presidenti i Gjeorgjisë, i cili në vitin 2015 ka marrë shtetësinë ukrainase, u bëri thirrje mbështetësve të tij të rrëzojnë nga pushteti presidentin Petro Poroshenko, të cilin e akuzon për korrupsion. Nëse shpallet fajtor Mikhail Saakashvili rrezikon deri në 5 vjet burg.