Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili po kalon momente të vështira. Sot ai kërcënoi se do të hidhej nga çatia e pallatit në Kiev të Ukrainës, pasi policia ushtroi kontroll në banesën e tij. Ndërkohë që policia hyri në banesën e tij, ai doli në çati.
"Duan të më marrin peng pasi jam ngritur në mbrojtje të popullit ukrainas," tha ai.
Forcat e policisë arritën ta zbresin nga çatia. Saakashvili ish-president i Gjeorgjisë, akuzohet se ka ndihmuar kriminelët në Ukrainë që të fshehin aktivitetin e tyre kriminal.
Ai u vlerësua si një politikan anti-korrupsion, por më pas përfundoi nën akuzë vetë. Gjeorgjia kërkon ekstradimin e tij me akuzën e korrupsionit.
Në vitin 2015, Saakashvili dorëzoi nënshtetësinë gjeorgjiane dhe pranoi të bëhej guvernator i Odesës në Ukrainë me ndihmën e presidentit Petro Poroshenko.
Por miqësia e tyre nuk zgjati shumë dhe ai u shkarkua. Që prej asaj kohe ka nisur protesta anti-qeveritare në Ukrainë. Saakashvili njihet edhe si mik i Edi Ramës, kryeministrit shqiptar.
Para tre vitesh ishte përfolur se ai mund të punonte si këshilltar i Ramës. Vetë Saakashvili e hodhi poshtë këtë mundësi.