Lajmi për një marrëveshje të Britanisë së Madhe me BE-në për Irlandën e Veriut qarkulloi që në orët e para të së hënës, me negociatorët që pohuan se Theresa May kishte rënë dakord t’i jepte vendit një status të veçantë, që do t’i lejonte qëndrimin brenda tregut të përbashkët dhe unionit doganor europian.

Por, reagimi i ashpër i Unionit të Irlandës së Veriut, DUP, se partia nuk do të pranonte asnjë rregullore që do të ndante politikisht apo ekonomikisht vendin nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, duket se përmbysi gjithçka.

Pas bisedimeve disaorëshe në Bruksel, kryeministrja britanike dhe presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude-Juncker njoftuan dështimin në arritjen e një marrëveshjeje për të lëvizur në fazën tjetër të negociatave për “Brexit”-in.

Theresa May, që vizitoi Brukselin me qëllim arritjen e një ujdie në prag të samitit të 14-15 dhjetorit, tha se ishte shënuar progres i konsiderueshëm, por se mbeteshin dallime mbi një sërë çështjesh. Ajo shtoi se do të takoheshin sërish gjatë javës dhe shprehu besimin se do ta mbyllnin pozitivisht çështjen.

Nga ana e tij, Juncker e cilësoi Mayn një negociatore të fortë dhe tha se arritja e një ujdie brenda ditës kishte qenë e pamundur. Bashkimi Europian ka thënë se nuk do të flasë për marrëveshjet e ardhshme tregtare me Londrën, derisa të bëhet progres i mjaftueshëm mbi statusin e qytetarëve të BE-së që jetojnë në Britani, faturën e divorcit dhe kufirin e Irlandës së Veriut.