Peshëngritësi Briken Çalja, garoi sot në kampionatin botëror të këtij sporti, që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në përfundim të provave të tij, pati probleme shëndetësore, teksa humbi ndjenjat dhe përfundoi në spital. Vetë Çalja tregon se ishte pikërisht dehidratimi, që i kishte shkaktuar çrregullimet shëndetësore dhe se tashmë ishte shumë mirë.

“Para garës hëngra ushqim dhe gjatë provave fillova të mos ndihesha mirë. Kisha dhimbje barku dhe në provën e fundit nuk mbaj mend asgjë. Menjëherë sapo ika nga pedana, humba ndjenjat dhe më dërguan në spital, ku më thanë se shkak ishte bërë një dehidratim 3 herë mbi normat. Pas 5 orësh qëndrim atje, tani ndihem mirë dhe mund të them se problem kaloi”, tha ai.

Shtangisti shqiptar tha se vendi i 4-t në botëror është një rezultat i mirë për të dhe Shqipërinë, por shprehu keqardhjen për problemin shëndetësor, që sipas tij, i mohoi medaljet.

“Më vjen keq për komplikimet, sepse mund të kisha marrë medalje të artë në shtytje dhe të argjendtë në shkëputje. Gjithsesi, edhe vendi i 4-t është një rezultat mjaft i mirë për Shqipërinë, që është një shtet i vogël”, u shpreh Briken Çalja.

Më herët, për Shqipërinë garoi edhe Evangjeli Veli, e cila u rendit e 8-a në botë, ndërsa sot pritet të konkurrojnë edhe Krenar Shoraj, Romela Begaj dhe Erkand Qerimaj, me shkodranin që pretendon zonën e medaljeve.