Qeveria e Spanjës ka miratuar ndryshime në Rregulloren e Përgjithshme të Trafikut, duke vendosur detyrime të reja për përdoruesit e automjeteve të lëvizshmërisë personale, përfshirë skuterët elektrikë.

Për herë të parë, reforma përcakton një moshë minimale prej 15 vjeç për drejtimin e këtyre mjeteve, ndërsa përdorimi i kaskës bëhet i detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit.

Masat janë pjesë e një pakete më të gjerë të propozuar nga Ministria e Brendshme e Spanjës dhe Drejtoria e Përgjithshme për Trafikun, me synimin për të rritur sigurinë rrugore për këmbësorët, çiklistët, motoçiklistët dhe përdoruesit e skuterëve.

Sipas rregullave të reja, drejtuesit e skuterëve elektrikë do të jenë të detyruar të mbajnë dritat ndezur gjatë natës ose në kushte me dukshmëri të kufizuar, si dhe të përdorin veshje apo aksesorë reflektues. Shkelja e këtyre detyrimeve mund të ndëshkohet me gjoba deri në 200 euro.

Autoritetet spanjolle kanë theksuar se reforma synon të përshtatë legjislacionin e trafikut me ndryshimet dhe zhvillimet që kanë ndodhur gjatë dy dekadave të fundit në fushën e transportit urban dhe lëvizshmërisë personale.