Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme që prodhuan ngërç politik në Gjermani, situata duket se po shkon drejt zgjidhjes dhe kjo pritet të vijë nga bashkimi i dy partive kryesore. Prestigjiozja gjermane Bild raporton se kristian-demokratët e kancelares Merkel dhe social-demokratët e Martin Shulc, do të nisin bisedimet për të ashtuquajturin “koalicioni i madh”. Shtysa për afrimin e palëve ishte sërish presidenti i vendit, Frank-Walter Steinmeier, i cili mbrëmjen e të enjtes mblodhi në presidencë palët për të dalë nga kriza.
Megjithatë kreu i social-demokratëve Shulc njoftoi se ende nuk është gjetur gjuha për “Koalicionin e Madh”, por mediat gjermane këmbëngulin se ribashkimi i CDU-së dhe SPD-së është çështje kohe. Sipas Bild, Shulc duhet të vendosë shpejt, përpara Kongresit të social-demokratëve, më datë 7 dhjetor.
CDU nga ana tjetër u shpreh përmes deputetit Klaus Schueler, se nuk ka vendosur asnjë parakusht dhe se është e hapur për bisedime për koalicionin e madh.
Presidenti Steinmeier prej javësh ka marrë rolin e negociatorit, duke u bërë thirrje palëve të jenë të përgjegjshëm e të mos e çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.