Ka ndërruar jetë ish-gjenerali kroat Slobodan Praljak që piu helm gjatë seancës në Hagë ku u shpall fajtor, raporton Associated Press.
Gjyqtarët kanë pezulluar një seancë të apelit, pasi njëri prej gjashtë kroatëve të Bosnjës, të akuzuar për krime të luftës, piu helm, duke brohoritur dhe duke e ngritur një gotë te buzët e tij në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara në Hagë.
Një zyrtar i gjykatës më vonë ka thënë se i akuzuari, Sllobodan Praljak, ishte nën kujdesin mjekësor.
Praljak, ish-komandant i forcave kroate në Bosnjë gjatë luftës në periudhën 1992-95, dukej teksa pinte diçka disa momente para se gjyqtarët e konfirmuan dënimin e tij me 20 vjet burg.
“Sllobodan Praljak nuk është kriminel lufte. E refuzoj vendimin me neveri”, tha Praljak para se të pinte helmin.
Më pas gjyqtari kryesues, Camel Agius, ndali procesin gjyqësor dhe ish-gjenerali kroat u vu nën kujdesin e mjekëve por me sa duket nuk ka mundur të mbijetojë.