Komisioni i Ekonomisë miratoi dje buxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2018.

Deputetët dje miratuan edhe shtimin e fondeve për disa institucione kushtetuese dhe të pavarura. Komisioni nuk miratoi të gjitha fondet e kërkuara nga institucionet, ku kërkesës së Kuvendit për shtesë fondesh në masën 141 milionë lekë, iu miratuan 80 milionë shtesë.

Shtesat për fonde iu miratuan edhe institucioneve të Vetingut, që do të shërbejnë për rikonstruksionin e godinës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe për blerje pajisjesh elektronike dhe orendi.

Presidencës do t’i shtohen 30 milionë lekë, nga të cilat 20 milionë lekë do të shtohen për shpenzimet në aktivitet ceremoniale dhe 10 milionë lekë për rinovimin e sistemit të kamerave. Komisioni miratoi edhe kërkesën e Shërbimit Informativ Shtetëror për shtim të 275 milionë lekë fonde, që do të shërbejnë për blerjen e sistemit për grumbullimin dhe analizën e informacionit.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, tha se në total institucioneve iu shtohen 800 milionë lekë. Shtesa e fondeve do të mbështetet nga rritja e të ardhurave dhe shkurtimet e fondeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Burimet që do të mbështesin të gjitha këto ndryshime që konsiderohen si shtesa, në shpenzime totale në 800 milionë lekë, do të përballohen: 400 milionë lekë nga rritja e të ardhurave nga tatimfitimi dhe ndërkohë që do të ketë reduktime. 100 milionë lekë reduktohen investimet në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, programi ‘Menaxhimi i mbetjeve urbane’, financim i brendshëm. 200 milionë lekë reduktohen investimet në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, programi ‘Transporti rrugor’, financim i brendshëm. 100 milionë lekë reduktohen investimet e fondit shqiptar të zhvillimit”, u shpreh Braçe.

SHTESAT

Në total, institucioneve kushtetuese dhe të pavarura do t’u shtohen 800 milionë lekë fonde. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, renditi institucionet që do të përfitojnë shtesat e fondeve. “Kemi marrë parasysh kërkesën nga Kuvendi për shtesë fondesh. Së dyti, kemi marrë parasysh kërkesën për shtesë fondesh nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për një shtesë në numrin e punonjësve të tij dhe shpenzimet e personelit që i mbështet ato. Për Ministrinë e Drejtësisë është marrë parasysh kërkesa e ministrisë për shtesë të numrit të punonjësve dhe llogaritjet për shpenzime që ishin bërë gabim.

Për Presidencën është marrë parasysh shtimi i fondeve për aktivitete ceremoniale dhe shpenzimet për investime për rinovimin e sistemit të kamerave me qëllim rritjen e sigurisë”, tha Braçe. Fonde shtesë do të përfitojnë edhe institucionet e vetingut, si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, 15 milionë lekë, fond që do të përdoret për blerjen e pajisjeve. Fonde shtesë do të përfitojë edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Për rikonstruksionin e godinës së vetingut do të shtohen 26 milionë lekë.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të përfitojë 35 milionë lekë shtesë për regjistrimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Fonde shtesë do të përfitojë edhe Garda e Republikës, për shtimin e 50 punonjësve. Drejtoria e Burgjeve do të përfitojë 300 milionë lekë shtim fondesh, që do të përdoren për uniformat e punonjësve që nuk janë ndërruar që në vitit 2004 dhe për investime në mirëmbajtjen e Burgut të Shkodrës. /Panorama/