Një 20-vjeçar është arrestuar, nën dyshimet se ka planifikuar sulm terrorist gjatë festimeve për Vitin e Ri.

I riu akuzohet për vepra terroriste që bartin dënimin maksimal me burgim të përjetshëm, thanë autoritetet.

Policia australiane dyshon se ai ka planifikuar të qëllojë njerëz me armë automatike në Sheshin e Federatës në qendër të qytetit Melburn.

Zëvendëskomisionari i policisë, Shane Patton, tha se i dyshuari ka lindur në Australi, nga prindër somalezë, dhe se ka qenë nën vëzhgim të policisë qysh në muajin janar.

Ai ka siguruar online një manual të Al Kaidës, me udhëzime për kryerjen e një sulmi terrorist, dhe ka qenë simpatizues i grupit militant Shteti Islamik, tha policia.

Autoritetet po ashtu thanë se nuk ka kërcënim të vazhdueshëm për publikun.

Vitin e kaluar, rreth 500 000 njerëz kanë festuar Vitin e Ri në qendër të Melburnit.