Një tjetër tragjedi u shënua në det, mbrëmjen e së shtunës. Të paktën 31 persona humbën jetën në ujërat libiane pas mbytjes së mjeteve lundruese me të cilat po udhëtonin në drejtim të Italisë.
Bilanci është paraprak dhe i destinuar të rritet. Sipas marinës lokale, emigrantët po udhëtonin në 2 varka të mëdha, në njërën prej tyre thuhet të kenë humbur jetën 31 persona e 60 të tjerë u shpëtuan, ndërsa në tjetrën ka 140 të mbijetuar.
Në faqen e saj në “Facebook”, marina libiane flet për trupa të përpirë nga peshkaqenët gjatë operacionit të shpëtimit. Në një postim tjetër thuhet se trupat ende në det janë me dhjetëra.
Siç mësohet mes të mbyturve janë 3 fëmijë dhe 18 gra.