Italia është në kërkim të një trajneri të ri për ekipin kombëtar pas shkarkimit të Gian Piero Ventura, që dështoi të dërgojë “azzurrët” në Botërorin e Rusi 2018. Dhe nga Gjermania vjen kandidatura surprizë, ajo e Jurgen Klinsmann, që në Serinë A ka lënë kujtime të mira si lojtar. Ai që sponsorizon Klinsmann është Berti Vogts, ish-trajner i kombëtares gjermane, që ka thënë se Jurgen është trajneri me profilin e duhur për të drejtuar kombëtaren e Italisë, pasi ka luajtur dhe e njeh mentalitetin aty.

Ndërkohë që edhe përvoja nuk i mungon, duke qenë se ka drejtuar më parë ekipin kombëtar të Gjermanisë dhe më pas atë të Amerikës. Jurgen Klinsmann, si trajner, ka drejtuar Gjermaninë në Botërorin e shtëpisë 11 vite më parë, ku u eliminua pikërisht nga “azzurrët” në gjysmëfinalen e famshme të fituar nga Italia.

Më pas ka drejtuar kombëtaren e Amerikës, por ashtu si Ventura edhe ai dështoi ta kualifikojë atë në Botërorin rus dhe u shkarkua disa javë më parë. Tani është në kërkim të një aventure të re dhe të bëjë detyrën e trajneri të Italisë mund ta rikthejë protagonist në arenën ndërkombëtare.

“Klinsmann është njeriu i duhur për kombëtaren italiane. Ka treguar se është në gjendje të bashkojë një komb të tërë dhe është në gjendje të ringrihet edhe në momente të vështira. Nuk e di se sa të lehtë do ta ketë Italia të pranojë një trajner gjerman, por sot kohët kanë ndryshuar”, tha Vogst.