Nuk kanë të ndalur zjarret në Durrës. Pas zjarrit në Kodër Vilë që ra pasditen e sotme dhe dogji një sipërfaqe pyjore, një tjetër zjarr është konstatuar në një magazinë, afër autostradës Durrës-Tiranë.

“DurrësLajm” mëson se mjetet zjarrfikëse kanë shkuar me urgjencë dhe i kanë vënë nën kontroll flakët, që kërcënonin kapanonin ku prodhohen ulluqe plastike.

Drejtori i zjarrfikësve, Adriatik Velaj, bën të ditur se flakët janë përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por fikja e shpejtë e zjarrit evitoi dëme materiale. 

Sipas drejtorit Velaj, temperaturat e larta, bimësia e tharë si dhe era e fortë bëhen shkak që zjarret të përhapen me shpejtësi.

Me rritjen e temperaturave, rritet rreziku për rënien e zjarreve, prandaj drejtori Velaj ka një apel për qytetarët: “Qytetarët të tregohen të kujdesshëm në rrugë, pyje, plazhe etj. Në çdo rast konstatimi zjarri telefononi në numrin 128. Një bisht cigareje në këto ditë të nxehta merr jetë, shkakton dëme të pallogaritshme në pyje dhe biznese. Njoftimi i shpejtë nga qytetarët na ndihmon dhe ne në punën tonë si në kohë dhe forca”.