Pas shumë vitesh në ekran, gazetarja e njohur Ilva Tare po largohet, të paktën për momentin. Në një deklaratë zyrtare në Euronews Albania, ajo deklaron se në 25 vite, ekranin e ka quajtur shtëpinë e saj dhe falenderoi shikuesit që i konsideron aleatë.
“Ju keni qenë aleati im në përballjet e vështira me realitetin dhe mentalitetin. Publiku ka qenë edhe kritiku dhe vlerësuesi im më i mirë. Veçanërisht, vajza të reja që sot janë nëna që kanë dashur të japin lajme dhe të kishin zërin dhe forcën time në publik. Edhe nëna e baballarë që projektonin tek unë dëshirën për të qenë përcjellësja e zërit të tyre. I falënderoj për çdo inkurajim që më ka motivuar përballë pengesave dhe nuk kanë qenë të pakta. E kam zemrën plot me mirënjohje edhe për të gjithë bashkudhëtarët, me të cilët kemi punuar për të bërë me të mirën për një gazetari cilësore.”
Më tej, Ilva thotë se po e mbyll këtë kapitull për t’i dhënë më shumë kohë bashkëshortit dhe dy fëmijëve, teksa shton se është koha të nisë një kapitull të ri në një stacion tjetër. Sipas Anabel.al, ajo do zhvendoset në SHBA.
“Kemi kaluar shumë së bashku unë dhe ju dhe tani është momenti që unë ta mbyll këtë kapitull, për t’i dhënë më shumë kohë familjes sime, Eduardit, Melodisë e Thomasit. Është koha të nis një kapitull të ri, në një stacion tjetër të jetës sime. Iki e emocionuar, me urimet më të mira për të gjithë ju, ashtu siç ju më keni bekuar me urimet tuaja ne këto vite sfiduese, por edhe përmbushëse. Më e mira është përpara nesh.”
Në përfundim të deklaratës së saj, Ilva la të hapur mundësinë e rikthimit pasi shprehet se mund ta shohim sërish me emisione dhe segmente speciale herë pas here.
“Do të mund të më shihni sërish me emisione dhe segmente speciale herë pas here. [Emisioni] ‘Ilva Now’ dhe ky kapitull suksesi me Euronews Albania mbyllet, por kjo s’është hera e fundit që shihemi bashkë. Faleminderit me zemër!” përfundoi ajo.





