Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka vizituar për herë të parë Serbinë. Shteti që nuk e ka mbështetur shumë dhe fqinjët me të cilët ka patur probleme.
Por, tani gjithçka ka marrë fund. Këtë e konfirmon edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiç.
Ana Brnabiç, Kryeministre e Serbisë: “Sigurisht se tensionet në Ballkan do të vazhdojnë në disa çështje të hapura, shpresoj jo shumë gjatë. Por, është me rëndësi të kemi dialog të hapur.”
Zaev ka thënë se kërkon trajtim të barabartë dhe e sheh të ardhmen e përbashkët.
Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë: “Qytetarët e Maqedonisë e shohin Serbinë në vendin e parë si fqinjin me të cilin kanë patur marrëdhënie dhe eksperienca më të mira. Sa i përket Kosovës ne e mbështesim dialogun dhe shpresojmë të zgjidhet problemi sa më parë pasi është në interes edhe të Serbisë, por nga kjo çështje varet edhe perspektiva e tërë rajonit.”
Kryeministri maqedonas u prit edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.