Nga Dritan Hila
Gati katër vjet më parë e ftuar nga kolegu i saj Avramopulos, ministër i Mbrojtjes i Greqisë, zonja Kodheli në fund të vizitës deklaroi në atdhe se problemet ishin zgjidhur dhe gjithçka do të shkonte mirë këtej e tutje.
Sot, si kryetare e Komisionit për politikën e jashtme të kuvendit të Shqipërisë dhe katër vjet si ministre e mbrojtjes e kupton sesa naive ka qenë në ato kohë.
Por ishin mote të tjera. Vetë qeveria shqiptare ishte e vetkënaqur. E ardhur pas një votimi plebishitar; pas raporteve të Ramës me Merkelin, të cilat Rama i ka menduar familjare, qeveria e rilindasve e pa me fodullëk fitoren e Syrizas disa muaj më vonë. Jetëgjatësia e qeverisë së Aleksis Ciprasit dukej punë javësh. Me gjithë botën kundër dhe Gjermaninë që nuk duronte dot ministrin e Financave të Athinës, gjuhëbriskun Varufakis; me qeveritë e majta të BE të cilat ishin të zhytura të gjitha në borxhe tek Gjermania dhe as guxonin t'i shkelnin syrin njeriut që ditën e fitores kishte përshëndetur nën tingujt e këngës së partizanëve italianë “Bella Ciao”, Ramës po fillonte t'i dukej vetja si prokonsulli i BE-së në Ballkan.
Por jo për shumë kohë. Greqia është një aleate e vjetër e perëndimit. Pavarësisht vizitave të Ciprasit në Pekin dhe Moskë si tentativë për presion ndaj borxhdhënësve, Aleksis iu kthye realpolitikës. Grekët kuptuan se nuk mund të ndodhte që mos paguanin borxhet por edhe mos iu mbylleshin bankomatet. Ndërkohë Obama bën vizitën e fundit si president në Evropë dhe për këtë zgjedh Athinën dhe Berlinin. Ishte një sinjal i fortë sesa vlejnë për Shtete e Bashkuara këto dy vende. Më vonë Cipras bën vizitën në Uashington ku pritja është “en grand pompè”. Kjo vulosi rreshtimin properëndimor edhe të së majtës ekstreme greke. “Kathimerini” shkruante në editorialin e saj se Syriza kishte bërë përfundimisht zgjedhjen e saj në krahun e historisë.
Ndërkohë qeveria Rama kishte humbur shkëlqimin. Për Gjermaninë ishte një partner si shumë të tjerë të Ballkanit, në mos, me ca si shumë probleme. Tonelatat e hashashit që ziheshin në brigjet e apenineve ishin reklama më e keqe që mund t'i bëhej vendit. Por Shqipëria kishte humbur edhe shansin e madh të përmirësonin marëdhëniet me Greqinë në mënyrë substanciale. Syriza ishte pasardhësit e atyre që ishin ndihmuar nga komunistët shqiptarë gjatë luftës civile që mbërtheu Greqinë pas luftës së dytë botërore. Thellë në koshiencën e tyre ishte mirënjohja për ndihmën e dhënë nga shqiptarët. Si çdo e majtë evropiane, ata ishin antiklerikalë, çka i bënte më të pandijshëm nga presionet e kishës së plotfuqishme greke. Dhe mbi të gjitha nuk kishin përbuzjen që afendikonjtë kanë ndaj argatëve të tyre, paragjykim i përhapur në politikën greke të 20 viteve të fundit.
Kalimi i viteve bëri që Ciprasi të humbiste idealizmin dhe iluzionet. Por jo që Rama të fitonte kthjelltësinë dhe humbiste mendjelehtësinë në gjykimi e politikës së jashtme.
Jo se një rrugë ndryshe do të zgjidhte problemet por do krijonte klimë tjetër.
Dy vendet kanë një sërë problemesh të mbartura nga e shkuara që nisin nga formimi i shtetit shqiptar. Greqia nuk ka firmosur kurrë traktatin e Firenzes që njeh kufijtë e Shqipërisë. Për të vazhduar me ligjin e luftës, dëbimin e popullisës came dhe pronat e tyre, Nuk ka firmosur marrëveshjen për piramidat, për lumenjtë dhe për të ardhur deri në ditë tona me marrëveshje si ajo e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në luftën e fundit apo atë detare. Këtyre iu shtohen edhe ngacmimet e përmuajshme të fqinjëve tanë që duhet thënë se kanë fantazi dhe fillon nga emrat në pasaportë, vendlindja apo prishja e kompiuterave.
Megjithatë takimi i fundit i ministrave të jashtëm Kocias dhe Bushati ishte më shumë se një fundjavë nën tingujt e sirtakit dhe shumë më pak se zgjidhja e problemeve. Cila ishte ajo forcë madhore që i shtyu? Janë Shtete e Bashkuara të cilat përballë rrëshqitjes së Turqisë në krahët e Rusisë, duan homogjenitet në krahun jugor të aleancës së atllantikut të veriut?
A mund të mbyllen problemet në një periudhë të shkurtër kohe? A do jetë në gjendje Athina të ndërtojë një politikë të re partneriteti duke hequr dorë nga pozicionet e superioritetit që i kanë kushtuar dekada vite punë? A është në gjendje shqipëria të heqë ndjenjën e inferioritetit dhe a e ka seriozisht të bëhet një shtet serioz? Pasi në diplomaci më shumë sesa talenti ka të bëjë emri i shtetit, GDP-ja e tij, autoriteti dhe produktiviteti ekonomik? Pyetje që vështirë se kanë marrë përgjigje në Kretë. Por që gjithsesi ishte një takim i pazakontë për të cilin të gjithë për shumë kohë do të bëjnë hamendësime.
Editorial i “Arena” ne Ora News