Diagnoza e hershme shpëton jetën!

Kanceri i mushkërisë është një nga problemet kryesore të shëndetit në vendin tonë ashtu si edhe në të gjithë botën…

Në ditët e sotme kanceri i mushkërisë është shkaku kryesor i vdekjeve nga kjo sëmundje për të dyja gjinitë. Në vendet e zhvilluara çdo vit numri i personave që vdesin nga kanceri i mushkërisë është më i madh se numri total i personave që vdesin nga kanceri i gjirit, prostatës, zorrës së trashë dhe pankreasit. 

Kanceri i mushkërisë është kanceri më ”vdekjeprurës” të cilit i njihet shkaku. 
Duke u krahasuar me llojet e tjera të kancereve, kanceri i mushkërisë përhapet më shpejt dhe sidomos në fazat e fundit përhapet në kraharor dhe prek edhe organet kryesore për jetën që ndodhen pranë (si p.sh rruga kryesore e frymëmarrjes, zemra, enët kryesore të gjakut, rruga e ushqimit, etj.) ose përhapet me anë të gjakut në organe të tjera të trupit (si p.sh mëlçia, mushkëria tjetër, kockat, truri etj.).

• Në përgjithësi kanceri i mushkërisë zhvillohet në mënyrë të fshehtë dhe nuk jep shenja për një kohë të gjatë. (P.sh në indin sfungjeror të mushkërisë nuk ka nerva për dhimbjen prandaj shumë pacientë nuk kanë dhimbje.)
• Disa nga shenjat (kolla, vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllimat në frymëmarrje) ndodhin edhe tek personat që pinë duhan prandaj në shumicën e rasteve konsiderohen “normale”. Për këtë arsye pacientët vijnë vonë tek doktori dhe kjo vonon diagnozën e hershme. 
• Me një grafi të thjeshtë të mushkërisë dhe ekzaminimin e gëlbazës është e vështirë të diagnostikosh kancerin e mushkërisë në fazat e hershme. 
• Për arsye ekonomike, edhe në vendet e zhvilluara metodat laboratorike dhe radiologjike që janë të vlefshme për diagnostikim të hershëm nuk aplikohen edhe në popullsinë me rrezik të lartë për kancer të mushkërisë.  

Duhani dhe kanceri i mushkërisë…

 

 

Duhani është shkaku kryesor dhe që njihet më mirë në etiologjinë e kancerit të mushkërisë. Nëse pini duhan ja disa nga arsyet pse duhet ta lini duhanin:

• Është vërtetuar se në tymin e duhanit ndodhen afërsisht 4000 lëndë të rrezikshme, 50 nga të cilat janë “kancerogjene” (që shkaktojnë kancer).

• 20% e atyre që pinë duhan (një person në çdo pesë veta!) në një periudhë të jetës së tyre diagnostikohen me kancer të mushkërisë. Ata që pinë një paketë në ditë kanë një rrezik 13 herë më të madh për të pasur kancer të mushkërisë në krahasim me ata që nuk pinë duhan. 
• Kohëzgjatja e pirjes së duhanit, numri i cigareve që pihen në ditë, sasia e katranit që ndodhet në tymin e duhanit dhe kur duhani thithet më thellë ndikojnë në zhvillimin e kancerit të mushkërisë. Nëse lini duhanin edhe pse në konsumuesit e vjetër të duhanit rreziku i kancerit nuk zhduket plotësisht, ky rrezik ulet për çdo vit që kalon pa pirë duhan. 
• Ata që nuk pinë, por ndodhen në ambiente të mbyllura me ata që pinë duhan dhe kanë mbetur për një kohë të gjatë nën ndikimin e tymit të duhanit (p.sh. bashkëshortët e personave që pinë duhan janë pirës pasiv të duhanit) kanë një rrezik dy herë më të madh për kancer të mushkërisë. Për këtë arsye në vendet e zhvilluara janë vendosur rregulla të rrepta për ata që pinë duhan. 
• Pirja e duhanit, përveç se dëmton zemrën dhe enët e gjakut, shpeshherë dëmton në mënyrë të pakthyeshme bronket dhe vetë mushkërinë dhe bëhet shkak për sëmundje si bronkiti kronik dhe emfizema që shfaqen me mungesë në frymëmarrje. Këto sëmundje ulin në mënyrë të theksuar kapacitetin e frymëmarrjes dhe të kryerjes së ushtrimeve fizike të personit. Kështu që edhe pse i kapur në fazë të hershme kanceri i mushkërisë nuk mund të operohet për këtë arsye. 

Kanceri i mushkërisë dhe shkaqe të tjera…

Ashtu si çdo njeri që pi duhan nuk preket nga kanceri, shumë rrallë ndodh që kanceri i mushkërisë të zhvillohet edhe në persona që s’pinë duhan. 

• “Gjyshi im pinte 3 paketa në ditë dhe vdiq në moshën 95 vjeç nga hemorragjia e stomakut”. Një rast i rrallë si ky nuk duhet të reklamojë duhanin si një gjë të parrezikshme.  

• “Nuk pinte duhan, por përsëri u prek nga kanceri i mushkërisë”. Nuk duhet të harrojmë që përveç duhanit ka dhe faktorë të tjerë kancerogjen (si p.sh rrezatimi, disa lëndë kimike dhe produktet e lëndëve djegëse etj.). Edhe kodi gjenetik i personit ka një ndikim të madh në zhvillimin e sëmundjes. 
• Nëse në familje ka persona me kancer të mushkërisë, pavarësisht se nuk pinë duhan, persona të tillë kanë një rrezik më të madh nga ana gjenetike. Testet që nxjerrin në pah këtë predispozitë gjenetike ende nuk përdoren.  

Cilat janë shenjat e shfaqjes së kancerit të mushkërisë?

Shenjat e shfaqjes së kancerit të mushkërisë janë të ndryshme. Këto shenja shfaqen edhe në sëmundje të tjera, përveç kancerit të mushkërisë dhe të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Ndonjëherë testet e diagnostikimit nxjerrin në dukje një kancer mushkërie në fazë të hershme. Për këtë arsye nuk duhet të lihen pas dore. Mos harroni, diagnoza e hershme shpëton jetën!

Si mund të kapet kanceri i mushkërisë në fazë të hershme?

Ajo që ndikon më tepër në suksesin e trajtimit të kancerit të mushkërisë është faza e sëmundjes (shkalla e përhapjes). Sëmundja ka katër shkallë dhe në përgjithësi ajo që ne quajmë të hershme janë shkalla 1 dhe 2. Me një trajtim të përshtatshëm ka një mundësi të madhe për të arritur përmirësim të plotë. Përdorimi i “Tomografisë së Kompjuterizuar Multidetektorë” (skaneri-MDCT) është mënyra më e mirë për të kapur kancerin e mushkërisë në faza të hershme. 
• Proçedura është e shkurtër, rreth 20 sekonda. Me një kompjuter të zhvilluar mund të formohen pamje me tre dimensione dhe me matjet e detajuara merren të dhëna për zona të dyshimta të mushkërisë. 
• Me këtë metodë është e mundur të diagnostikohet kanceri i hershëm i mushkërisë në 3% të personave mbi 40 vjeç që pijnë një paketë në ditë për më shumë se 10 vjet. 

Një masë e vogël në mushkëri që quhet “nodul” e diagnostikuar në këtë mënyrë nuk është kancer i mushkërisë. Në rastet e dyshuara para se të planifikohet një trajtim i saktë duhet patjetër të bëhet biopsi për të vënë diagnozën. Metodat e përdorura për këtë: 
• Biopsi me gjilpërë (që kalon nga muri i kraharorit)
• Video-Bronkoskopi (pamja e rrugëve të frymëmarrjes me një kamera)
• Mediastinoskopi (marrja e gjendrave limfatike rreth rrugës së frymëmarrjes)
• Video-Torakoskopi (pamja e hapësirës së kraharorit me një kamera) 


 

Cilat janë mënyrat e trajtimit të kancerit të mushkërisë?

Dy fazat e para të kancerit të mushkërisë si edhe disa raste të përzgjedhura të fazës së tretë trajtohen duke nxjerrë me operacion pjesën e kancerit bashkë me një pjesë të mirë të mushkërisë që e rrethon atë. Kjo është e vetmja metodë trajtimi efektiv që zgjat jetën e pacientit. Llojet e operacioneve më të shpeshta që bëhen për këtë qëllim janë: 

• Lobektomi: Nxjerrja e një pjese të mushkërisë.
• Pneumonektomi: Nxjerrja e njërës prej mushkërive. (Trupi i njeriut ka dy mushkëri: e majta dhe e djathta.) 

Këto operacione gjithmonë e më tepër bëhen me video-torakoskopi (pamja e hapësirës së toraksit me një kamera). Me këtë metodë pacienti ka më pak dhimbje pas operacionit dhe qëndron më pak i shtruar në spital. Kurse në fazën e katërt sëmundja është më e përparuar dhe metodat që përdoren janë për trajtim ndihmës që të rrisin kualitetin e jetesës. Llojet e operacioneve apo ndërhyrjeve kirurgjikale që bëhen për këto raste janë:

• Heqja e lëngut që mblidhet në hapësirën e kraharorit (toraksit) dhe parandalimi i formimit përsëri e këtij lëngu;
o Heqja e lëngut me kateter ose me tub toraksi
o Përdorimi i një “by-pass”i midis toraksit dhe barkut (Shunti)
o Ngjitja e cipës së mushkërisë me lëndë kimike
o Heqja e cipës së mushkërisë

Për hapjen e rrugëve të frymëmarrjes kur janë të bllokuara nga tumori mund të përdoren një ose disa nga këto mënyra si elektrokoter, lazer, radiofrekuencë (RF), krioterapi, “Stent” trakeo-bronkiale. Tek këta pacientë ngaqë nuk është e mundur heqja e tumorit duhet të jepet ilaç shtesë (kimioterapi) ose rreze (radioterapi) vetëm ose të dyja bashkë. Këto trajtime mund t’u rekomandohen disa pacientëve para ose pas operacionit. 
Qëllimi i kirurgjisë është të nxjerrë gjithë pjesën e kancerit dhe t’i ofrojë pacientit një jetesë të rehatshme me një kapacitet të pranueshëm të frymëmarrjes dhe të ushtrimeve fizike.

Rrini larg cigares dhe tymit të duhanit!

Nëse pini duhan dhe nëse keni rrezik tjetër për zhvillimin e kancerit mos hezitoni të kontaktoni me mjekun për çdo ankesë që mund të keni në lidhje me frymëmarrjen!

Mos u besoni fjalëve si “Kanceri nuk preket me thikë”!
E vërteta është se: “Thika nuk është për çdo lloj kanceri”.

 

Shenjat e kancerit që shfaqen shpesh:

• Kollë e pashërueshme 
• Ndryshim në mënyrën e të kolliturit
• Mungesë në frymëmarrje ose frymëmarrje me fishkëllima
• Gëlbazë me gjak (në shumicën e rasteve në formë vije të hollë)
• Shenjat e pneumonisë: Gëlbazë me erë të keqe ose me ngjyrë të errët, temperaturë, lodhje, mungesë oreksi, rënie në peshë
• Dhimbje në kraharor, në kurriz ose në shpatull

 

Shenja e kancerit që shfaqen rrallë:

• Ngjirje të zërit
• Vështirësi në gëlltitje, ndjesi sikur të ngel ushqimi në fyt
• Rënie e kapakut të syrit
• Lemzë që nuk kalon