Për femrat dhe rolin e tyre në shoqëri është folur mjaft, sidomos dy shekujt e fundit, që kur femrat fituan të drejtën e votës dhe nisën të punësoheshin masivisht në sektorë të ndryshëm të industrisë e jo vetëm. Punësimi i grave dhe forcimi i rolit të tyre në shoqëri ndryshoi jo pak konceptet patriarkale që mbisundonin në shoqërinë europiane për shumë shekuj me rradhë. Lëvizja feministe, e cila pati një përhapje të madhe dhe të gjerë në vendet perëndimore dhe SHBA, shënoi një ndryshim rrënjësor në konceptin që shoqëria kishte për femrën në tërësi. Angazhimi i grave në poste drejtuese dhe në politikë forcoi dhe më shumë pozitën e femrës në shoqëritë moderne. Me këtë nuk dua të përjashtoj kontributin që gra të caktuara kanë dhënë në historinë mijëravjeçare të njerëzimit, që nga lashtësia e deri në ditët tona, por dekadat e fundit ato që shumë kohë më parë shiheshin si raste sporadike tashmë nuk mund të ishin më të tilla, pasi pozita e femrës në shoqëri dhe në përballjen e saj të drejtpërdrejtë me seksin e kundërt, meshkujt, ka ndryshuar totalisht. Nëse do t’i referohem historisë sonë, duke nisur që nga vitet e para të pas luftës e deri në ditët tona do të doja të ndalesha në dy momente kryesore; gruaja gjatë viteve të regjimit komunist dhe ajo e viteve të demokracisë.
Pavarësisht të metave që mund të ketë pasur regjimi i kaluar, një fakt nuk mund t’i mohohet; lufta për emancipimin e gruas. Ndërsa deri në vitet ‘40 shoqëria shqiptare ishte një shoqëri tërësisht patriarkale, ku gruaja thuajse nuk llogaritej fare, si kur jetonte me prindërit apo dhe në familjen e bashkëshortit, ishte gati gati një objekt që merrte frymë dhe asgjë më shumë, pas vitit 1945 roli i saj në shoqëri ndryshoi tërësisht, pasi gruaja u kthye në një forcë aktive pune, ndërkohë që u bë një propagandë e madhe për të braktisur zakonet dhe traditat e trashëguara që nga sundimi turk. Megjithëse në atë kohë gruaja mbante dhe poste drejtuese, regjimi komunist propagandonte një steriotip femre të barabartë me burrin, edhe në profesione që deri kohë më parë konsideroheshin tërësisht mashkullore. Në shumë nga veprat artistike të realizimit socialist femrat shfaqeshin nëpër aksione, për ara, në ndërtime trasesh e hapje kanalesh krah për krah me burrat, por ajo që të bën përshtypje është fakti se gruaja në këto piktura e skuptura ka humbur shumë nga tiparet që konsiderohen ekskluzive të femrave si: brishtësia, delikatesa, sensualiteti dhe sharmi femëror.
Duke mos dashur të zgjatem shumë në këtë argument që nuk përbën qëllimin e këtij shkrimi kërkoj të heq një paralele me femrën e shoqërisë së sotme. Vitet e fundit, numri i femrave të angazhuara në sfera të ndryshme të jetës dhe shoqërisë ka ardhur duke u shtuar. Sot gratë i sheh të përfaqësuara në të gjitha fushat: në politikë, vendimmarrje, biznes, shoqëri civile etj. Numri i femrave që mbarojnë shkollën e lartë brenda apo jashtë vendit, që ndjekin mastera apo doktoratura, që mbajnë pozicione kyçe dhe janë mjaft të suksesshme në karrierë është shtuar ndjeshëm në këto vite tranzicion. Bashkë me dimensionin e ri që ka marrë femra në shoqëri në këto vite të demokracisë ka ndryshuar mjaft edhe këndvështrimi me të cilin e sheh ajo veten në raportet e saj me meshkujt, kolegë, eprorë apo vartës qofshin. Megjithëse në ditët tona flitet mjaft për barazinë gjinore, për krijimin e më tepër hapësirave për femrat në pozicione kyçe, për krijimin e shanseve të barabarta në të gjitha sferat e punësimit, ende zgjidhja përfundimtare e këtij problemi duket e largët. Këtë më mirë se kushdo e dinë femrat në karrierë, të punësuarat në administratë apo në sektorin privat, që jo rrallë herë përballen me skepticizmin e meshkujve, të cilët ende e kanë të zorshme të pranojnë se do të urdhërohen nga një femër. Kjo është një problematikë mjaft e gjerë dhe ngjall debate të vazhdueshme.
Për këtë arsye gazeta “Dyrrah” do të nisë një rublikë të veçantë që do t’i rezervojë një hapësirë të përjavshme zërit të femrës, grave dhe vajzave durrsake që falë profesionalizmit, aftësive dhe këmbënguljes kanë arritur të afirmohen në shoqëri, të mbajnë poste drejtuese dhe të jenë të suksesshme gjatë ushtrimit të detyrës. Këto femra, që vlen të përgëzohen për angazhimin e tyre personal, për sakrificat që janë detyruar të bëjnë për të arritur këtu ku janë sot, meritojnë të thonë fjalën e tyre për këto çështje e pse jo edhe të parashtrojnë mendimet dhe opinionet e tyre për rrugët që duhen ndjekur, që femrave të tjera, me aftësi të spikatura, t’u krijohen hapësirat e nevojshme për të nxjerrë në pah gjithë potencialin e tyre krijues.