Para ndeshjes së 153-të në historinë e bilancit të tyre ndërmjet Teutës dhe Tiranës, opinioni sportiv ndoqi edhe një ceremoni të thjeshtë, por shumë mbresëlënëse. Futbollisti titullar i Teutës në dhjetëvjeçarin e parë të viteve 2000, Dritan Babamusta zyrtarizon largimin nga futbolli.
Shtatlarti i mesfushës durrsake u ngjit në një karrierë interesante, duke prekur edhe aktivizimin me ekipin përfaqësues të Shpresave. E kemi ndjekur Babamustën në një turne ndërkombëtar, organizuar në Kazamasima të Barit (Itali), në vjeshtën e vitit 1995 ku spikati talenti dhe aftësia e tij për t’u bërë futbollist. Për shumë vite mbrojti me aftësi fanelën e ekipit të vendlindjes.
Krahas Teutës, ai luajti edhe me Partizanin, Dinamon dhe Besën. Në vitin 2002 është grumbulluar edhe në ekipin përfaqësues të Shqipërisë. Datëlindja e tij është 6 shtator 1981. Dëmtimet kronike nuk e lanë të qetë Dritanin, derisa vitet e fundit nuk mundi të ketë prezencë të rregullt në fushat e blerta të futbollit. Opinioni sportiv dhe qytetar e mirëpriti vendimin e Federatës Shqiptare të Futbollit duke e emëruar Babamustën si drejtues i zyrës Rajonale të futbollit në zonën e Durrësit që përfshin shtrirjen nga Rrogozhina, Maminasi e deri në Krujë.
Gjatë angazhimit të tij në krye të kësaj zyre, Dritan Babamusta dallon për profesionalizmin, aftësitë organizuese dhe bashkëpunuese me klubet sportive, duke mbështetur jo vetëm futbollin e moshave, por duke evidentuar edhe traditat e hershme të futbollit durrsak në vite. I urojmë Babamustës ecuri të mbarë, për të ndikuar në profilin e punës së tij në mbarëvajtjen dhe sukseset e futbollit durrsak dhe më gjerë.