Pas më shumë se 25 vjetësh ndërtohet shkolla e parë për sistemin parauniversitar në Durrës, falë një fondi prej 150 milionë lekësh të Ministrisë së Arsimit. Kjo shkollë e cila pritet të përfundojë në muajin tetor, ka një kapacitet prej 1100 nxënësish dhe është ndërtuar në zonën e ish kënetës.

Punimet po ecin me ritme të larta, por si zgjidhje emergjente për fillimin e vitit të ri arsimor, është menduar që 200 nxënësit e rregjistruar në vitin e  parë të kësaj shkolle të ndjekin mësimin në turnin e tretë, në shkollën nëntëvjeçare në këtë zonë. Drejtoria Arsimore mendonte se shkolla do të ishte gati brenda datës 10 shtator, por deri tani ka përfunduar me infrastrukturën e domosdoshme vetëm kati i tretë i godinës, ndërsa në dy katet e tjerë vijojnë suvatimet.

Frrok Lleshi, drejtor i shkollës së mesme, deklaroi për “Dyrrah”, se e vetmja zgjidhje është nisja e vitit të ri shkollor me tre turne në shkollën ekzistuese nëntëvjeçare, deri në përfundimin e punimeve në shkollën e mesme.

“Ne si drejtori shkolle i kemi parë gjërat me objektivitet. Janë marrë masat që rregjistrimet për shkollën e mesme të vijojnë rregullisht, për vetë faktin se ka dyndje të madhe nxënësish për të ndjekur arsimin e mesëm në qytetin e Durrësit. Çdo fillim ka edhe vështirësitë e veta për rregjistrimin e gjimnazistëve. Ky është një ngërç që do të kalohet, sepse fillimisht nxënësit kanë abandonuar rregjistrimet këtu, por ky është një objekt bashkëkohor, me staf të përgatitur dhe 5 laboratorë”,- tha Lleshi. 

Drejtori i shkollës bëri të ditur gjithashtu se pengesat nuk janë të pakapërcyeshme. Mundësia është që në ditët e para të punohet me tre turne, deri në përfundim të objektit të ri. Nxënësit e viteve të para do të nisin mësimin tek shkolla 9-vjeçare. Kalimi i tyre në godinën e re do të bëhet sapo të përfundojnë punimet në të.

Nga ana tjetër drejtori Leshi i bëri apel të gjithë komunitetit dhe nxënësve të vijnë të regjistrohen këtu, pasi ajo do të jetë një prej shkollave më të mira në qytet. Kapaciteti i shkollës nëntëvjecare në zonën e ish kenetës është 1100 nxënës dhe meqë aty pritet të ndjekin mësimin edhe nxënësit e vitit të parë të shkollës së mesme, pritet që numri në total të shkojë në 1400 nxënës.

Në Durrës, problem kryesor për drejtuesit e Arsimit mbetet numri i vogël i shkollave të mesme që nuk i korespondon kërkesave të nxënësve për të vijuar studimet në arsimin parauniversitar. Në këto 22 vitet e fundit popullsia e Durrësit është dyfishuar, ndërkohë që numri i shkollave të mesme në qytet ka mbetur i njëjtë. Pritet që këtë problematikë ta zbusë disi vënia në funksion e shkollës së mesme në ish kënetë.