Fitorja e Teutës me Skënderbeun në transfertë me 30 mars 2012, riktheu bindshëm synimet për trofeun e kampionatit. Ndonëse fitorja ngjasoi si ajo e “Pirros”, sepse dëmtohet rëndë dispeçeri i lojës së durrsakëve Emiljano Veliaj, ajo u shoqërua me një bujë të pazakontë. Skeptikët ndaj ecurisë së futbollit durrsak, bashkuar me pseudospecialistët që “kakarisin” studiove televizive mbi gjoja ndarjen e titullit ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës, morën një mësim të vyer për falsitetin e gjykimeve të tyre të pabazuara dhe artificiale.
Futbolli luhet në fushë dhe jo para kamerave apo radhëve të gazetave dhe tamam aty Teuta lë pas Tiranën dhe frymëmarrjen e saj e dëgjon fare pranë Skënderbeu. Teuta në tetë ndeshjet e fazës së dytë paraqet dy tablo.
E para: në katër ndeshjet e fillimit shtohet me vetëm dy pikë, duke humbur 5 pikët e avantazhit dhe bashkë me të edhe vendin e parë.
E dyta: në katër ndeshjet vijuese arrin të reabilitohet plotësisht, duke fituar 12 pikë e duke qëndruar vetëm 1 pikë larg vendit të parë. Teuta paraqet një futboll racional, duke evidentuar forcën e grupit dhe të kolektivit. Duke u drejtuar nga një dyshe specialistësh, nga më të regjurit dhe profesionistë të futbollit shqiptar Hasan Lika dhe Sulejman Starova adapton taktikë funksionale në vartësi të kundërshtarit.
Motoja e ekipit mbetet: fitore me vlerësim maksimal të forcave të kundërshtarit. Teuta nuk i diferencon ekipet në të mëdha dhe të vogla, në të parat e tabelës apo të fundit. Argumenti vjen i qartë, po ta ilustrojmë me vetëm katër ndeshjet e fundit të kësaj faze. Fiton ndaj ekipeve të brishta si Apolonia, Dinamo dhe Tomori dhe mund në Korçë të ashtuquajturit “ujqërit e dëborës” – Skënderbeun, me financat më të fuqishme të superligës shqiptare të futbollit.
Teuta nuk ka “yje”, por një grup futbollistësh, të cilët janë të aftë të zbatojnë modulin e lojës që përpunohet nga dyshja Lika-Starova dhe të shfrytëzojnë edhe cilësitë e tyre improvizuese. P.sh. goli i Çotës në Korçë mbetet modeli i qetësisë, i aftësive teknike, i përgatitjes atletike dhe psikologjike dhe i mençurisë në finalizim.
Apo rrjeta e Jakupit në Qemal Stafa ndaj Dinamos, ku kërcyeshmëria dhe teknika e goditjes së sferës janë mbresëlënëse. Kjo Teutë, shprehen sportdashësit durrsakë të ngroh me lojën e saj dhe të jep shpresa për të kapur kreun. Nuk mund të fshihet fakti që në Durrës ëndërron një popull i tërë, për të pronësuar titullin kampion. Është fituar vetëm një herë, më 30 prill të vitit 1994.
Dhe tani pas 18 viteve në Durrës kërkojnë që historia të përsëritet. Nëse ndodh kjo, pritet të ofrohet një nga festat më popullore, nga më të veçantat e organizuara deri tani. Durrsakët kanë treguar se dijnë t’i bëjnë ato aq bukur dhe me mjeshtëri të pazakontë. Por ajo që kërkohet është, të ndodhë njëherë kjo ngjarje e jashtëzakonshme.
Ndërsa kampionati po shkon drejt fundit lufta për titull bëhet edhe më e fortë. Skënderbeu dhe Teuta janë shumë pranë njëri tjetrit. Një hap fals i njërës do t’i garantonte ekipit tjetër një garanci më shumë për javët e mbetura. Këtë të diel Teuta pret Shkumbinin në shtëpi, ndërsa Flamurtari mirëpret “ujqit e dëborës”
Atëherë të vijmë tek profecia jonë. A do të marrë Teuta kryesimin, pikërisht të dielën e 22 prillit 2012? Me doemos duhet të shfaqen dy dukuri: e para Teuta të përmbushë me sukses detyrën e shtëpisë, të fitojë në Niko Dovana me Shkumbinin e Peqinit dhe e dyta Flamurtari të mund të barazojë ose fitojë me Skënderbeun në Vlorë.
Të dyja versionet janë të lidhura njëra me tjetrën, sa hap e mbyll sytë. Nëse Teuta mund Shkumbinin, çka është primare për synimin e saj dhe Flamurtari i rrëmben tri pikë Skënderbeut, atëherë djemtë e detit kapërcejnë me dy pikë kryesuesen. Nëse Flamurtari barazon, atëherë avantazhi kryesues i Teutës mbetet vetëm një pikë.
Por ajo që vlen është të merret njëherë kreu, e mandej të mendohet për ta ruajtur diferencën në katër ndeshjet e mbetura. Kjo e diel e lidh fort intrigën e kryesueses, në segmentin Durrës – Vlorë. E përkimi vjen shumë interesant. Në fakt Teuta me 23 prill 1994, kur mundi Vllazninë në Niko Dovana 1-0 siguroi një javë përpara epilogut titullin kampion, sepse ceremonia zyrtare u bë në Lezhë me 30 prill 1994.
E në se ndodh përkimi, i bie që 22 prilli 2012 të mund të jetë kapja e fronit nga Teuta, për tu ulur përfundimisht në të më 19 maj kur luhet në Krujë takimi përmbyllës. Por ngutja nuk vlen. Durimi dhe maturia po. Po kështu edhe gëzimi i parakohshëm nuk ka vend. Teuta më së pari të mundë Shkumbinin dhe e dyta të kërkojë që fati t’i bjerë në derë. Lutemi të ndodhin që të dyja!