Të paktën 21 persona kanë humbur jetën sot, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një ndërtesë shumëkatëshe që shërbente si hotel, në një zonë të populluar të kryeqytetit indian.

Më shumë se 40 persona u shpëtuan nga ndërtesa në zonën Hauz Rani, në jug të Nju Delhit, tha një zyrtar i policisë.

Të plagosurit u dërguan në spitalet e afërta, ndërsa 21 prej tyre u shpallën të vdekur.

Sipas agjencisë së lajmeve PTI, viktimat përfshijnë edhe shtetas të huaj nga Azia Qendrore dhe Afrika, por policia ende nuk i ka identifikuar zyrtarisht të ndjerët.

“Shkaku i zjarrit mbetet i paqartë. Shërbimi zjarrfikës ka shuar flakën dhe po vijon kontrollin brenda ndërtesës”, tha zëvendës-shefi i zjarrfikësve AK Malik.

Nuk dihet ende, nëse objekti kishte dalje emergjente dhe lejet e nevojshme të sigurisë.

Kryeministrja e Delhit, Rekha Gupta tha se do të hapet një hetim, për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe premtoi mbështetje për të plagosurit dhe familjet e viktimave.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi shprehu ngushëllimet e tij dhe njoftoi ndihmë financiare për familjet e prekura.

Vdekjet nga zjarret janë të zakonshme në Indi dhe shpesh lidhen me masa të dobëta sigurie, mungesë daljeje emergjente dhe pajisje elektrike të vjetruara ose me standarde të ulëta.