Në një vit, prefekti riktheu 50 akte ligjore për riformulim nga njësitë vendore
Prefekti i Durrësit, Genc Alizoti, ka komentuar në një intervistë për gazetën “Dyrrah” veprimtarinë e institucionit që ai drejton, për vitin 2011, problematikën përsa i përket menaxhimit të sezonit turistik, bashkëpunimit me njësitë vendore si dhe çështje të tjera si ajo e dhënies abuzive të titujve të pronësisë, ndërtimet pa leje etj.
Z. Alizoti, si e vlerësoni bashkëpunimin me njësitë vendore gjatë vitit 2011?
Mendoj se në përgjithësi ka qenë një bashkëpunim pozitiv, por natyrisht që ka pasur dhe problemet e veta. Mendoj se kemi menaxhuar mjaft mirë dy palë zgjedhje; ato për pushtetin vendor dhe për këshillat komunalë dhe bashkiakë. Jemi ndoshta e vetmja prefekturë ku nuk ka pasur asnjë problem gjatë këtij proçesi. Po kështu kemi përballuar me sukses të gjitha situatat e emergjencës duke nisur nga përmbytjet dhe duke vazhduar me ngjarje të tilla si ajo e mbytjes së anijes turke pas përplasjes me tragetin “Ankara” si dhe ngjarje të tjera, ku kemi pasur një bashkëpunim me institucional. Natyrisht që kemi pasur probleme në bashkëpunim veçanërisht me bashkinë e Durrësit, sidomos gjatë sezonit turistik, pasi institucioni i pushtetit vendor pothuajse nuk ka bashkëpunuar me Prefekturën,madje nuk ka menaxhuar mirë situatën përsa i përket ndarjes së drejtë mes plazheve publike dhe atyre private, pastrimit të mbetjeve apo dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e sezonit turistik. Një problematikë të hapur kemi patur me Bashkinë e Durrësit edhe përsa i përket çështjes së ndërtimeve pa leje, pasi bashkia nuk ka ndërhyrë me inspektoriatin e ndërtimit për prishjen e këtyre godinave në zona të njohura të qytetit si ajo e Kodrës Vilë, plazhit etj.
Kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, ka deklaruar se nuk mund të ndërhyhet në ndërtime që janë në proçes legalizimi? Cili është komenti juaj?
Unë mendoj se ky është vetëm një justifikim me anë të të cilit Kryetari i Bashkisë kërkon që të shmangë përgjegjësitë e tij direkte që ka për këtë çështje. Kush e pengoi kryetarin e bashkisë të ndërhyjë, kur këto ndërtime ishin në fazën fillestare dhe kur akoma nuk funksiononte ligji i legalizimeve? Hartat dixhitale kanë kohë që janë projektuar dhe z.Dako e di mirë këtë.
Një nga problemet e mëdha që ka Durrësi është mos funksionimi i kanaleve të ujërave të larta që mund të bëhen precedent për përmbytje masive. Ç’ka bërë Prefektura në këtë drejtim?
Mendoj se dhe gjatë këtij viti ka qenë një nga problemet më emergjente për tu zgjidhur. Pjesa dërrmuese e kanalit është jo funksionale dhe megjithë ndërhyrjet e bordit të kullimit situata vazhdon të jetë problematike. Akoma dhe më shqetësues është fakti, se bashkia nuk po ndërhyn për pastrimin e kanaleve, gjë që do të thotë se problematika mbetet e hapur në këtë drejtim.
Gjatë vitit 2011 keni rikthyer plot 50 akte ligjore nga njësitë vendore. Sa prej tyre i përkasin Bashkisë së Durrësit?
Po është e vërtetë që kam rikthyer në harkun kohor të një viti 50 akte, të cilat kanë pasur probleme me konceptimin ligjor. Vetëm dy prej këtyre akteve i përkasin Bashkisë së Durrësit.
A është punuar gjatë këtij viti për të gjetur një zgjidhje lidhur me abuzimet që janë bërë me titujt e pronësisë?
Sigurisht që komisioni përkatës ka bërë punën e tij pas ankesave të qytetarëve në lidhje me këtë çështje. Problemet më serioze janë vënë re përsa i përket ish Ndërmarrjeve Bujqësore, ku edhe praktikat janë më të komplikuara. Mendoj se rastet e verifikuara e ku kanë rezultuar shkelje ligjore po kalojnë në rishqyrtim, ndonëse duhet thenë se problematika në lidhje me këtë çështje është shumë e mprehtë dhe e koklavitur.
Ndalemi pak te mënyra se si u menaxhua sezoni i fundit turistik. Cili është këndvështrimi juaj në lidhje me këtë çështje?
Mendoj se ishte një sezon që u menaxhua mirë dhe u garantua furnizimi me energji elektrike, ujë të pijshëm etj. Menaxhim të mirë pati dhe përsa i përket ndotjes së mjedisit në pjesën më të mirë të sezonit, ndonëse në fund pati probleme me derdhjen në det të ujërave të zeza. Gjithsesi, ka pasur edhe probleme të tjera, që unë i përmenda më sipër, si raportet mes plazheve publike dhe private, mungesa e dusheve publike, mos funksionimi i pikave të ndihmës së shpejtë që menaxhohen nga bashkia etj. Duhet theksuar fakti se Durrësi po bëhet gjithnjë dhe më tepër një qytetet atraktiv, jo vetëm gjatë sezonit veror turistik, por edhe në stinët e tjera. Mjafton të shikojmë kroçerat turistike që po frekuentojnë gjithnjë dhe më tepër qytetin tonë.
Z. Alizoti, mungesa e kanalizimeve në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe Golem po rrezikon perspektivën turistike të kësaj zone. Ç’është bërë dhe ç’po bëhet në këtë drejtim?
Mendoj se në lidhje me këtë problem të trashëguar në vite tashmë ka një zgjidhje. Punimet për kanalet e ujërave të zeza dhe të bardha po intensifikohen në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit dhe mendoj se me fillimin e sezonit të ri turistik do të jetë zgjidhur përfundimisht ky problem tepër emergjent.
Së fundi, a ju vjen keq që kryetari i bashkisë nuk ua plotësoi dot kërkesën për një spektakël me rastin e festave?
Nuk është çështja se nuk ma plotësoi mua kërkesën për një spektakël, problemi është që nuk po u plotësohet qytetarëve. Gjithsesi të shpresojmë deri në fund se do të kemi një koncert me rastin e Vitit të Ri. Me këtë rast përmes gazetës tuaj profesionale dhe më afër interesave të qytetarisë durrsake, do të doja të uroja të gjithë banorët e Prefekturës së Durrësit me rastin e festave, duke ju uruar shëndet, gëzim dhe lumturi në familje si dhe suksese në punë dhe në jetë. Një urim dhe për stafin tuaj të gazetës.