Ju keni një biznes, studion fotografike “BELA VENECIA” që lidhet me të bukurën, ç’provoni?

Është kënaqësi e veçantë. Jeta është e larmishme. Ajo ka dashuri, lumturi, hidhërim, por në fund është e gjitha e jona. Ndaj duhet respektuar. Një tregues i këtij respekti është fotografia. Kur nuk i fikson këto çaste, çdo moment, çdo ngjarje humb, ndaj me fotografinë ne bëjmë që ato t’i kemi përherë pranë.

Si hyre në këtë fushë të fotografisë, të së bukurës?

Është profesioni i kahershëm i tim shoqi, që njihet prej vitesh në qytetin tonë si fotograf. Ndryshimi i sistemit ishte i beftë. Duhej menduar për familjen. Rruga e kurbetit nuk ishte zgjidhje. Kështu hapi studion e parë private në Durrës. E ndihmoja herë pas here se unë kam mbaruar U.T., dega Ekonomi Financë. Ky bashkëpunim lehtësoi ecurinë e punës. Ishte aftësia e tij që ma mësoi e më bëri ta dashuroj këtë profesion. Si të gjithë bashkëkohësit, mua e familjes na u desh të përgatiteshim e të luftonim fort për biznesin që krijuam, për të siguruar të ardhmen tonë në ekonominë e tregut.

Cila qe e reja e këtij biznesi në ekonominë e tregut?

Me fotografinë e bukurinë e këtij arti, populli ynë ka pasur tradita. Me këtë traditë na ka njohur Marubi i madh që solli deri në ditët tona fotot e mrekullueshme, që mbartin jo vetëm vlerat artistike të talentit të tij, por edhe vlerat e pamohueshme të historisë, traditave dhe evidentimit të veshjeve të kohës. E reja në kohën e sotme është futja e teknologjisë dixhitale që ka përmirësuar punën në shpejtësi, cilësi dhe është në ngritje si teknologji.

Studioja juaj “BELA VENECIA” është studioja e parë private në Durrës. Jeni e kënaqur nga frekuentimi?

Është e vërtetë që jemi studioja e parë private në qytetin tonë e përmenda dhe më lart. Dhe kjo na ka bërë sa të njohur , po aq të përgjegjshëm në punën tonë. Klientët e parë të studios tonë jo vetëm vazhdojnë të jenë prezent tek ne, por numri i tyre është rritur kënaqshëm nga viti në vit. Për ruajtjen dhe rritjen e këtij biznesi, bashkë me Gonin, bashkëshortin tim, kemi krijuar linjën e stampimit të fotove në veshje për çdo moshë, të stampimit në qeramikë, në kristal, prodhime që i shërbejnë jo vetëm qytetarëve tanë, por veçanërisht turistëve. Si banore e këtij qyteti të lashtë këto prodhime i shërbejnë edhe reklamës për këtë qytet në mbarë Botën.

Po shërbime të tjera të reja keni në studion tuaj?

Po kemi. Është albumi i dasmave që shoqërohet me foto artistike si në studio ashtu edhe në natyrë. Ky album është simboli që mbetet nga dasma. Të gjitha çiftet, përveç zemrës që i ruan përherë emocionet e rralla të kësaj dite, kanë edhe këtë album të pazëvendësueshëm në kohë. Ky shërbim është dixhital duhet theksuar.

Ju rregulloni dhe foto të vjetra. Kujtoni ndonjë rast të vecantë?

Rregullimi i këtyre fotove është një punë e vështirë, por e bëj me pasion. Gjithnjë kam pasur shumë nostalgji për to. Kujtoj se disa foto kanë qenë aq të vështira, sa të dukej çmenduri të merreshe me to. Por duke respektuar klientin e dëshirën e tij, e kam realizuar. Kur futesh në botën e fotografisë ndjen gjithë ngjyrat e emocioneve që të jep ajo. Dua të tregoj një rast që më ka mbetur në kujtesë se më ka tronditur shumë. Dy prindër e kishin djalin në emigracion. Kishin 8 vjet pa e parë. Më kërkuan një foto. Zakonisht fotot i ruaj në CD. Pas një pune të gjatë në kohë, arrita ta gjej një foto të djalit dhe ua dhurova prindërve. Po kur ata e morën foton, nisën ta puthnin me mall e duke qarë. Emocioni qe shumë i fortë sa u përlota dhe unë pas tyre.

Po me fotot e bukura të kohës çfarë bëni?

Fotot e bukura e kanë mrekullinë e artit brenda. Kur ajo plotëson të gjithë komponentët e një fotoje artistike ne e ekspozojmë në mjediset tona. Shumë fotografi të tjera të bukura me vlera artistike, i ruajmë në arkivin tonë. Përpos tyre, ne shumë foto të realizuara prej studios tonë si p.sh. nga zbulimet arkeologjike që qyteti ynë i ka thesaret e tij, nga deti, ku natyra të mahnit me madhështinë e kësaj pafundësie, momentet e fiksuara nga ngjarje historike të kohës, i ruajmë. Këto do të shërbejnë në të ardhmen jo vetëm për ndonjë ekspozitë që mendojmë të hapim, por dhe për brezat. Po të kujtoj se megjithëse ju mund t’i keni arkivuar vetë 10 vitet e spektaklit “MISS & MR. DURRËSI”, edhe studioja jonë, ku bashkëshorti im është drejtor i fotografisë në këtë spektakël, prej vitesh i kemi depozituar për qëllimet që përmenda më lart.

Për të përballuar konkurencën dhe burokracitë e kohës, keni investuar shumë?

Për të qëndruar dinjitozë dhe për t’ju përgjigjur kërkesave të kohës, investimi që kemi bërë në aparaturat e reja dixhitale është me kosto relativisht të lartë. Por ky investim ia ka vlejtur mjaft. Kjo ka bërë që ne të ecim në punën tonë me ritmin e teknikave më të reja. Në biznesin tonë çdo gjë është art. Klientët jo më kot na përzgjedhin ne.

A e ruani drejt raportin midis biznesit e familjes?

Jam shumë e kujdesshme. Ky biznes është brenda familjes. Goni është profesori ynë. Vajza pikturon. Djali është regjizor. Kjo sjell harmoni e lehtësim duke mos krijuar boshllëqe as në punë as në familje. Përkundrazi, mbështetja te aftësia e gjithësecilit, më lehtëson punë dhe mua.

Si reagon kur sheh një foto të bukur?

Kënaqësi. Ndjesia që provon eshtë e mahnitshme. Por unë e shijoj si profesioniste. Ai që do të përsoset në punën e tij, s’ndalet së mësuari. Duke vështruar një foto të realizuar artistikisht mëson.

Si shkon konkurenca mes pjesëtarëve të familjes?

Si duhet. Kërkojmë përsosmërinë. Vërejtjet e sugjerimet, secili i përdor me mirëkuptim për të çuar punën përpara. Goni si gjithnjë mbetet profesori ynë.