Ne jemi brezi që heroizmin tonë e thamë pa fjalë. Në ditët e para të marsit të vitit 1991 rreth 100 mijë persona të dëshpëruar nga sistemi komunist braktisën vendin, kryesisht drejt Greqisë në masën 76 për qind dhe Italisë 24 për qind. Eksodi i marsit me anijet shqiptare do të mbetej për një kohë të gjatë në mendjet e evropianëve, si një veprim që nuk ishte parë të ndodhte ndonjëherë. Revolta ndaj diktaturës, e akumuluar për vite të tëra, shpërtheu në këto eksode historike me përmasa të mëdha. Edhe më pas shqiptarët, në mënyrë klandestine, në kërkim të një jete më të mirë, do të largoheshin, kryesisht drejt fqinjëve Greqisë dhe Italisë që, ndonëse me pak vështirësi, e përtypën këtë situatë të vështirë të shqiptarëve. Ishin përhapur lajme se do kishte eksod në Durrës. Menjëherë nga i gjithë vendi shpërthyen shtetas shqiptarë në portin e Durrësit. Në një raport të Drejtorisë së Policisë Popullore thuhej se forcat e policisë në Durrës kishin vlerësuar situatën qysh më parë dhe për këtë qëllim kishin ushtruar kontrolle në periferi të Durrësit, duke mundur kësisoj të largojnë rreth 1 mijë shtetas. Ishin kryesisht të rinj, por nuk mungonin as gratë dhe fëmijët. Midis shtetasve që tentonin të hynin në mjete lundruese dhe policisë ishte zhvilluar një përleshje e ashpër. Pas tërheqjes të grumbulluarit kishin shkatërruar në dëshpërim e sipër objekte tregtare të Durrësit. Përfaqësuesit e forcave të rendit, me mjete të ndryshme, i kishin komunikuar të grumbulluarve se nuk ishin të vërteta lajmet për anije që prisnin të merrnin refugjatë. Si edhe kuptohej, askush nuk i kuptonte apo besonte fjalët e forcave të rendit. Në derën e portit të Durrësit ishte krijuar në këtë mënyrë një “digë” e Policisë së Durrësit, dy batalioneve të sigurisë së rendit, repartit nr.326. midis turmës dhe forcave të rendit filloi përplasja. Turma hodhi në drejtim të tyre gurë e mjete të tjera për të bërë të mundur çarjen e “digës”. Policia ndërhyri me shkopinj gome, për të bërë të mundur çarjen e turmës, e cila kishte bërë tre barrikada, në largësi 20 – 30 metra nga njëra – tjetra. Plagosje të shumta ndodhën midis të dy “palëve”. Nga mjediset afër, mbi forcat e rendit, hidheshin vazo me lule, pllaka betoni, tulla, etj. Kjo “betejë” vazhdoi për rreth 3 orë. Nuk dihej sa do vazhdonte, nëse nuk do ndërhynte makina ujëshpërndarëse mbi turmën. Në kthim, turma theu e dogji gjithçka që gjeti rrugës. Gjatë rrugës, ajo hodhi parulla të tilla si “Enver – Hitler”, “Poshtë qeveria”, “Poshtë policia”, etj. Në orën 13:00, turma ishte shpërndarë. Pas dy orësh, disa të rinj nga Durrësi e Kavaja, u grumbulluan para Degës së Punëve të Brendshme Durrës, duke hedhur gurë e mjete të forta aty. Policia qëlloi në ajër. Pastaj këtu kanë ardhur përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Azem, Hajdari dhe Arben Imami. Këta i kanë folur turmës, duke i thënë se qeveria i kishte të gjitha fajet, por zgjedhjet duhet të bëheshin me qetësi, pa veprime të dhunshme. Sipas njoftimit në fjalë, turma ishte larguar, por pas disa minutash ishte parë sërish në Bulevardin e Durrësit, duke hedhur parullat: “Enver – Hitler”, “Poshtë Ramiz Alia”, “Rroftë Partia Demokratike”, “Liri – Demokraci”. Edhe këtu pati një përleshje me policinë. Organet përkatëse regjistruan 35 policë të plagosur, por pranuan se edhe nga turma numri i të plagosurve duhej të ishin shumë i madh. Policia kishte ndaluar 47 persona. Në fund, policia analizonte se thashethemet rreth eksodit ishin përhapur qysh nga muaji janar. Ishte thënë se Italia do dërgonte 3 tragete për të marrë shtetas shqiptarë. Interesante është shpjegimi se qyteti ynë kishte nisur të kishte probleme me bukën, pasi një pjesë e mirë e furrxhinjve kishin lënë punën dhe ishin bashkuar me turmën drejt portit për të ikur në Itali. Pritej që të vinte bukë nga rrethet e tjera të vendit. Njoftimi shpjegon se anija “Partizani” qëndronte e mbushur me shtetas, të cilët nuk largoheshin, edhe pse ajo ishte e prishur.

Indrit Nina: 5 Marsi i vitit 1991 është një ditë e trishtuar dhe mallëngjyese për mijëra durrsakë, të cilët lanë shtëpitë dhe familjet e tyre për një jetë më të mirë. Tashmë pas 21 vjetësh, kur kujtojmë ato ditë të vështira mendja jonë shkon gjithmonë me dashuri për atë që lamë dhe dëshiruam. Ëndrra jonë është e tillë, ashtu siç ikëm ato ditë të rimblidhemi përsëri brenda të njëjtit identitet që nuk ka humbur dhe që jeton brenda nesh. Këtë ëndërr dëshirojmë ta realizojmë në “Ditën e Durrsakëve”, kjo edhe me ndihmën tuaj morale. Do të ishte akoma më mirë, që gjithsecili prej jush të sjellë kujtime  nga kjo ditë.

Kujtim Fusha: Ishte mbasdite e 3 marsit, pikërisht ajo ditë që solli ndryshime në jetën time dhe të 15-të njerëzve të tjerë të gjithë durrsakë. Kur zgjidhëm cimat nga kalata lindore, ndezëm motorët dhe më pas befas kërciti zhurma e tmerrshme nën breshërinë e 2 kallashnikovëve njëherësh. U shtrimë të gjithë përdhe, sipër dyshemesë së kuvertës së asaj peshkarexhe, e cila edhe pse e shpuar nga plumbat na çoi drejt lirisë, drejt ëndrrës. Larg në perëndim, ku jemi dhe sot. Ishim me fat, që plumbat nuk qëlluan në mish, por ranë të gjitha në pjesën e bashit të peshkarexhës, ku ishte shkruar bukur dhe emri i saj. Por më me fat ishim ku arritëm në Bari të Italisë. Na dhuruan një pritje të mirë, që s’do ta harrojmë kurrë. Njerëz që shkonin e vinin, na dhuronin ushqime, veshmbathje, gjëra të momentin që na nevojiteshin për çastin kritik, në të cilin ndodheshim. U jemi mirënjohës popullit italian të Barit, të cilët na trajtuan si njerëz. Nuk do ta harrojmë kurrë atë pritje që na bënë, na pritën si heronj kur panë anijen e shpuar nga plumbat. Ne ndiheshim mirë për atë pritje madhështore nga këta njerëz me zemër e me shpirt të madh. Një ditë më pas, me 4 mars, aroma e lirisë ndihej kudo,  në rrugë, në sytë e njerëzve që ndeshnim, na shihnin me admirim, në çdo ambient. Ishte prag pranvere dhe aroma e mimozave të sapo çelura së bashku me peisazhin pranveror sikur ia shtonin më shumë bukurinë asaj ndjesie, e cila e kishte emrin liri, e kishte emrin ëndërr. Asgjë nuk harrohet. Ne jemi brezi që heroizmin tonë e thamë pa fjalë. Ne luftuam në mënyrë të heshtur, kalbëzimin e atij sistemi sa qesharak, aq edhe absurd. Ne i dhamë goditjen përfundimtare me grushtin tonë të vogël vdekjeprurës, veglave dhe mashave të atij sistemi në kalbëzim. Ne e kemi thënë fjalën tonë duke e shkruar atë në histori dhe historia nuk na harron kollaj. Jemi brezi i asaj historie, të cilën brezat që do të vijnë nuk kanë për ta harruar kurrë. Ne jemi të rinj si dikur, kur ishim 22 vjeçar. Nuk mund t’i lë pa përmendur çunat me trima Durrsakë, për të cilët historia nuk ka shkruar kurrë. Për  luftën tre ditore me forcat speciale brenda në ambientet e Portit Detar, Kantierit Detar.  Unë kam qenë i pranishëm i kam përjetuar ato momente, pasi në atë kohë kam qenë roja i turnit të tretë në Kantierin Detar. Nuk gjej dot fjalë të përshkruaj sot, mbas 21 vitesh heroizmin e tyre te pashoq. Ishin të parët që në mëngjesin e orës 10, të datës 3 mars morën anijen e quajtur “Panajot Papa”. Edhe pse në dalje të portit ishin vënë 2 cima të forta çeliku nga forcat speciale, për të bllokuar daljen nga porti. Ishin të parët që i këputën. Për 2 orë rresht në mes të detit ata kanë përjetuar tmerrin e breshërive të të gjithë arsenalit, që posedonte në atë kohë Ministria e Brendshme. Nuk po përmend emra, por kush ka qenë tek ajo anije ka përjetuar tmerrin e atyre çasteve, ku s’kishe ku të fusje kokën nga plumbat që vërshëllenin nga të gjitha anët. Ato ishin çunat tanë, çunat durrsakë, nga më trimat e qytetit, që me besim, guxim dhe vetëmohim ia dolën mbanë të thyenin të gjitha rekordet. Kampionë të vërtetë. Të paharruar do të mbeten me heroizmin e tyre, e gdhendën atë pa fjale, bukur, siç i ka hije çunave Durrsakë. Me vrullin tonë rinor i treguam diktaturës, se dhe para plumbave të tyre ne triumfojmë, jemi më të  fortë për paqen tonë, për lirinë tonë, për ëndrrën tonë. Jam i nderuar, e ndjehem krenar që shkruaj për ato histori të paharrueshme, që kanë ndodhur në qytetin tim. Por më të paharrueshëm janë durrsakët e vërtetë që bënë histori”. 

Lavdosh Abazaj: “Vetëm ne që kemi përjetuar emocione të tilla e kuptojmë se çfarë do të thotë kjo datë. Pata fatin të pritesha mirë edhe unë në fillim, ndoshta do të thoja shumë mirë, kjo sepse dija dhe Italisht. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, për vetë faktin se pasiguria dhe dëshira për stabilizim ishin tepër të forta. Një gjë më habit, sa shpejt kaluan 20 vjet. A thua edhe Zoti do që ti mbulojë me harresë vuajtjet tona? Apo vallë u plakem?”

Albana Kume-Robertson: “Ditë e shënuar edhe për mua. Nisja më 6 mars, mbërritja më 7 mars. Gjatë rrugës doja të vdisja, sepse më zuri deti keq. Kujtime shumë të hidhura e të paharruara. Nganjëherë guxoj të mendoj çfarë rruge do të kishte marrë jeta ime nëse do të vendosja të mos nisesha, por nuk arrij të përfytyroj si do të kish qenë. Jam e kënaqur me zgjedhjen time. Ndoshta mund të më kishte qëlluar më mirë, por ndoshta edhe më keq.”

Baci Abaz Sina: “Sot e 21 vjet më parë kam lënë Durrësin. Fjalët nuk kanë shumë forcë për të shprehur atë që ndjen në realitet. Duhet ta provosh për ta kuptuar. Unë jam nisur me cisternën e ujit "Pullum Baholin", e cila ishte sa një lëvozhgë arre. Largimi ishte i rëndë dhe emocionet janë të pa përshkruara. Do të doja të falënderoja gjithë popullin Italian për pritjen dhe ndihmën që na bënë, që lagimin ta ndienim sa më pak. Unë dhe sot nuk e harroj dhe nuk do ta harroj kurrë atë që kanë bërë.  Njerëzit e mi e morën vesh që isha gjallë dhe në Itali nga një shoqe e motrës, e cila më kishte parë në TV tek "Maurizio Costanzo show".”

 “Ka patur dhe njerëz që kanë lënë jetën atë ditë. Të mos i harrojmë!”