Java e 15-të e kampionatit kombëtar të futbollit, hapi siparin të shtunën e 3 marsit. Ndërsa sot, më 4 mars, në Vlorë zhvillohet kryendeshja e kësaj jave ndërmjet Flamurtarit dhe Teutës. Ndryshe jemi mësuar ta trajtojmë këtë dyluftim si derbi bregdetar. Përse ballafaqimi i kësaj dysheje mbart autoritetin maksimal të kësaj jave? Vendndodhja e Teutës dhe e Flamurtarit, është arsyeja më e fortë. Teuta është në komandë të garës me 32 pikë, ndërsa Flamurtari i shtyrë shtatë pikë më poshtë, i strehuar në vendin e katërt. Sigurisht bëjnë tifo këtë ditë për vlonjatët,Tirana e vendit të dytë me 30 pikë dhe Skëndërbeu i vendit të tretë me 29 pikë. Diferencat janë ngushtuar ndjeshëm, veçanërisht pas humbjes së Teutës në Niko Dovana me 10 shkurt me Tiranën.
“Mëndja e madhe e keqja e të zot”
Nga Vlora vijnë njoftime për likuidimin e pagesave të prapambetura të futbollistëve të Flamurtarit dhe vendosja e premiove të pashembullta në rast fitoreje me Teutën. Një praktikë e tillë, që tingëlloi sa artificiale aq edhe butaforike u dha edhe nga Tirana, ku futbollistëve iu premtua një premio marramendëse prej 150 mijë euro për të mundur Teutën e Durrësit. Dhe kurrë nuk u mësua se çfarë u bë me këtë premtim, duke qenë fort të bindur se ajo ishte e dështuar që në momentin që u shfaq në publik. Optimizmi që vjen nga qyteti 120 kilometra larg Durrësit, është i tillë sa që fitoren me Teutën e trajtojnë si formalitet. Madje në disa deklarata që shfaqen në media, pretendohet për goleadë ndaj kryesueses së kampionatit. Synime të tilla të pabaza (një zot e di se ku mbështeten), janë një avantazh i mirë për t’u shfrytëzuar nga durrsakët. Është momenti të kujtojmë me këtë rast sentencën e njohur popullore: “Mëndja e madhe e keqja e të zot”. Flamurtari ndryshoi trajnerin, bëri edhe merkato në janar. Formacioni i tij është tejet ambicioz për t’i hapur punë Teutës. Tifozëria vlonjate është mjaft ekzaltuese dhe e paduruar për të pritur fitore nga të tijtë. As nuk diskutohet që Flamurtari, do të kërkojë të shënojë dhe për këtë i duhet të sulmojë. Avantazhi që e ofron tek fitorja është së pari fusha dhe së dyti tifozëria. Ekipi është përgatitur për të kapur fitore edhe ndaj rivalëve siç është Teuta. Por durrsakët kanë një armë të padukshme në favor: euforinë vlonjate. Kjo do t’i nxisë ata të kenë plus përqindje të tjera motivimi, sepse është krejt e natyrshme të mos jenë dakord me mënyrën se si e trajtojnë vlonjatët ballafaqimin me ta.
Teuta beson tek mundësitë e saj, ndonëse nuk mohon realitetin e një sfide tejet të vështirë dhe delikate. Sipas teknikut Lika, ekipi falë aftësive të kristalizuara fizike do të konsumojë shumë energji edhe në ndihmë të mbrojtjes, ku pritet stuhi sulmuesh nga vendasit. Megjithatë shfaqet optimizëm për t’ia dalë edhe në këtë transfertë
Maturia në kampin durrsak
Përkundrejt kësaj euforie të vlonjatëve, vijnë reagime objektive, të matura dhe të argumentuara nga kampi durrsak. Shtyrja e kampionatit për arsye të kohës me lagështirë dhe të ndeshjes miqësore të kombëtares tonë në Gjeorgji, është çmuar si mundësi inkurajuese për rehabilitimin e grupit të futbollistëve më së pari nga ana psikologjike. Në fakt me Tiranën u luajt një takim për t’u harruar dhe po merren masa që ndaj Flamurtarit të zhvillohet një ndeshje për t’u kujtuar. Presidenti Hasanbelliu ka të drejtë kur e trajton këtë ballafaqim si ndeshje të radhës, sepse në logjikë janë në valle marrja e tri pikëve. Fitorja është e vlefshme në këtë kuotë pikësh edhe sikur të luash ta zëmë edhe me ekipin e fundit të kampionatit që është Dinamo. Pra fortësia e ekipit, nuk e ndryshon limitin e pikëve të caktuara. Thënë ndryshe, Teuta, edhe në se humbet në Vlorë, nuk i lëkundet as besimi dhe as e drejta për të synuar titullin kampion. Trajneri Lika është i shqetësuar për mungesën e mbrojtësit Stafa dhe të mesfushorit elbasanas Hyshmeri që sot mbush 23 vjeç. Në minutat e fundit, duket se edhe Dosti i shtohet mungesave. Për dashamirësit e futbollit durrsak dhe në respekt të lexuesit, duke qenë se “Dyrrah” është gazeta “e shtëpisë”, bëjmë të njohur edhe formacionin e ekipit në ndeshjen me Flamurtarin: Rizvani, Jakupi, Sheta, Osmani, Da Silva, Tairi, Veliaj, Mancaku, Dalipashiç, Nika dhe Çota. Në drejtim të Vlorës do të niset edhe një grup i organizuar i tifozërisë durrsake, që thuajse nuk i ka munguar në transfertë Teutës. Nga përbërja është rritur forca sulmuese e ekipit, ku shpresat për shënim janë varur tek serbi Dalipashiç dhe Çota. Teuta beson tek mundësitë e saj, ndonëse nuk mohon realitetin e një sfide tejet të vështirë dhe delikate. Sipas teknikut Lika, ekipi falë aftësive të kristalizuara fizike do të konsumojë shumë energji edhe në ndihmë të mbrojtjes, ku pritet stuhi sulmuesh nga vendasit. Megjithatë shfaqet optimizëm për t’ia dalë edhe në këtë transfertë.
Anomalia e statistikave
Si për ironi të fatit, ngarkesa emocionale që ka përfshirë të dy kampet si Flamurtarin dhe Teutën, ashtu edhe tifozëritë përkatëse i është shtuar edhe baza statistikore ku të mbështesin optimizmin e tyre. Vështroni se çfarë ndodh! Dy janë staticienët që pretendojnë për rregullsinë historike të shifrave: shkodrani fort i njohur në kësi punësh Ymer Striniqi dhe i paepuri kavajas Fatmir Efica. Pak vëmendje i nderuar lexues, për të ndjekur se çfarë shifrash kontradiktore, çoroditëse, me mangësi logjike në rrjedhën historike të këtyre ballafaqimeve serviren:
Bilanci i ndeshjeve Flamurtari – Teuta
Sipas versionit të Fatmir Eficës:
Kanë zhvilluar ndërmjet tyre 130 ndeshje, prej të cilave Flamurtari ka fituar 32 dhe ka humbur 53 ballafaqime. Në barazim kanë përfunduar 45 takime. Golavarazhi: 115-150 për Teutën.
Versioni i Ymer Striniqit
Flamurtari – Teuta kanë zhvilluar ndërmjet tyre 132 ndeshje, prej të cilave Flamurtari ka fituar 48ndeshje dhe ka humbur 37. Në barazim kanë përfunduar 47takime. Golavarazhi 144-123 për Flamurtarin.
Këto dy staticienë me punën e tyre pasionante dhe lavdëruese, ndihmojnë specialistët, futbollistët por edhe mediat specifike, për të arritur në konkluzione dhe përfundime të logjikshme për çdo analizë që mund të bëhet. Veçanërisht për çiftin Teuta-Flamurtari, statistikat e traditës së ballafaqimeve duket se janë një punë e dështuar. Meqenëse jemi tek shifrat, do të tentonim të jepnim një argument të kësaj natyre. Vlonjatët në shtatë ndeshjet e këtij edicioni që kanë zhvilluar në shtëpinë e tyre, kanë fituar 5 dhe barazuar dy. Kanë barazuar 1-1 me Apoloninë në javën e tetë me 5 nëntor dhe po 1-1 në javën e dhjetë me 26 nëntor me Tomorin. Janë dy ekipet që së bashku me Dinamon, janë në zonën frigoriferike të tabelës. Ndërsa Teuta grumbullon 18 pikë në transfertë, duke humbur vetëm në javën e tretë në Shkodër.
Teuta apo Flamurtari? Le të shfaqet dukshëm më i miri, por pa prishur rregullat e mirëkuptimit sportiv, që në gjuhën e futbollit njihet me emrin feirplej. Do të dëshironim një fitore nga djemtë tanë, që do të “betononte”pozicionin e kryesueses. Sigurisht e vështirë, por jo e pamundur.