Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shqipëri, Hidayet Bayraktar.
Në një njoftim nga zyra për shtyp e kreut të shtetit thuhet se Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionale dhe të partneritetit të shkëlqyer mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin për t’i forcuar më tej këto marrëdhënie, në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes për të dy vendet dhe popujt tanë.
Presidenti nënvizoi gjithashtu edhe rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në kuadrin e NATO-s dhe në atë të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.





