Partia Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni shpalli fitoren në komunat kryesore të banuara nga shqiptarët pas balotazhit të zhvilluar këtë të diel.

Kreu i saj Ali Ahmeti tha se në Tetovë rikonfirmohet Teuta Arifi, ndërsa kandidatët e partisë së tij udhëheqin bindshëm në Strugë, Çair, Dibër, Saraj, Likovë, Kërçovë dhe të tjera.

Ndaj tij reagoi ashpër kreu i Alenacës për Shqiptarët Ziadin Sela, që akuzoi për manipulime të shumta pasi partia e tij po humbet bastionin e saj, Strugën.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha se rezultati i zgjedhjeve lokale tregoi mbështetjen që ka qeveria e tij duke i bërë thirrje VMRO-DPMNE-së të njohë rezultatin. Por kreu i opozitës Nikolla Gruevski tha se zgjedhjet shfaqën parregullsi të shumta.