Ministri i Financave Ahmetaj, në një takim me bizneset e Dhomës Amerikane, ka nisur diskutimin për ndryshimet e bëra në Paketën Fiskale 2018, si dhe ka dhënë shifra konkrete rreth rezultateve të para të Paketës Antiinformalitet.

Mark Crawford nga AmCham, gjatë fjalës së tij tha se presim ndryshimet e paketës fiskale, se çfarë ndikimi do të ketë në bizneset. “Ndryshimet që presin janë të rrisë barazinë dhe të eleminojnë selektivitetin.”

Ndërsa ministri ka deklaruar se tashmë takimet me Amcham janë pjesë e traditës, kanë qenë të vazhdueshme dhe konstruktive.
Ministri tha se MF pati një periudhë tranzicioni që nga 18 maji, ndaj edhe paketa fiskale u vonua.
“Ne kërkojmë opinionet tuaja mbi paketën. Kemi hyrë në fazën e tretë të antiinformalitetit. Nuk është qëllim presioni mbi sipërmarrjen, por të komunikojmë dhe të shpalosim kush fiton dhe humbet nga antiinformaliteti.”- tha Ahmetaj në bisedën me bizneset.
Paketa antiinformalitet ka një plan masash fokusuar mbi sipërmarrjet e mëdha, sipas ministrit, TVSH është rishikuar deri në 2 mln lek. Ministri ka deklaruar më tej, se deri tani, kanë hyrë në skemë 9 mijë biznese, 920 sipërmarrje ndryshuan përgjegjësinë tatimore. “Nuk duam t’i bezdisim bizneset me vizita të shumta. Një vit më parë, kemi futur instrumentin e vetëkorrigjimit. Instrument demokratik për administrimin e taksave. Kemi qasje më miqësore me biznesin. ” – tha ministri.

Elementët kryesor të Paketës Fiskale, që ministri përmendi, është mbështetja e turizmit, me TVSh, taksat kombëtare dhe me tatim fitimin. “ Për të nxitur ndërtimin e hoteleve me pesë yje i kemi përjashtuar nga TVSH, do të reduktohet për bizneset e fushës së IT,”- ka sqaruar ministri.

Ahmetaj përmendi edhe buxhetin e 2018, i cili aktualisht është në parlament. Sipas ministrit, Buxheti mbështet rritjen ekonomike, synohet ulja e borxhit me 2.5% dhe rritja e investimeve publike, 5.2 % në krahasim me 2017-n.

Vetëm një ditë më parë, Tatimet, përmes një deklarate për shtyp, njoftuan se në tre javë, janë verifikuar në terren 7720 tatimpagues, nga të cilët 1720 tatimpagues janë penalizuar, ndërsa për 250 subjekte është marrë masa e mbylljes së aktivitetit.

Në skemën e kontributeve kanë hyrë 547 punonjës të padeklaruar. Lidhur me fshirjen, tatimet njoftojnë se janë fshirë rreth 754 milionë lekë, apo rreth 5.5 milionë euro.
971 tatimpagues kanë paguar detyrimet e prapambetura. 2563 tatimpagues kanë përfituar nga kompesimi i detyrimeve debitorë me gjendje kreditore dhe tepricën kreditore të TVSH-së në vlerën e 81,663,834 lekë.

/Monitor/