Shtyhet seanca gjyqësore për Emiljano Shullazit, shkak është bërë mungesa objektive e dy prokurorëve Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuci.

Dy prokurorët që mungonin në gjyqin ndaj Shullazit janë të njëjtët që po hetojnë edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri në lidhje me dosjen “Habilaj”, e që kërkuan arrestimin e tij.

Mungesën e tyre në seancë e kanë justifikuar një shkresë në të cilën shkruanin se për “arsye objektive” nuk mund të ishin të pranishëm. Shkresa ishte dërguar nga zv/ kryeprokurori i Krimeve te Rënda, Gent Osmani me porosi të prokurorit të dosjes Tahiri, Besim Hajdarmata.

Avokati i Shullazit e ka cilësuar si të paprecedentë sjelljen e tyre dhe ka kërkuar pushimin e çështjes, pasi ndaj Shullazit mungonin provat.

“Me këtë veprim prokuroria dëshmon se nuk ka forcë për të mbrojtur akuzën. Duhet të pushohet gjykimi, veprimi i prokurorëve është i paprecedentë, nese do kishim munguar ne, ju do të merrnit masa dhe do na gjobisni”, thotë avokati Vladimir Meçe.